Gjanica del nga shtrati, përmbyten banesat
FIER- Lumi Gjanicë që përshkon qytetin e Fierit mes për mes ka dalë nga shtrati gjatë natës së djeshme duke përmbytur një numër të konsiderueshëm shtëpish banimi, tregun industrial si dhe disa lokale. Vetëm këtë muaj ky lumë ka dalë tre herë nga shtrati duke përsëritur të njëjtën skenë, atë të përmbytjes së tregut duke iu shkaktuar dëme materiale dhe humbjen e klientelës të mbi 150 tregtarëve që shesin buzë këtij lumi. E njëjta skenë ka ndodhur edhe te disa lokale të ngritura afër shtratit të këtij lumi. Për çdo vit ky lumë del nga shtrati por për vitin 2009 ai ka dalë disa herë sidomos për muajin dhjetor ai ka dalë tre herë dhe dëmet janë të pallogaritshme. Ndërkohë disa herë tregtareve iu është bërë thirrje që të largohen nga ky treg pasi bashkia iu ka siguruar një vend tjetër por ata këmbëngulin se duan një treg të ri bashkëkohor. Ndërkohë, këto ditë në Bashkinë e Fierit është aprovuar një projekt nga një studio dhe shumë shpejt do të bëhen negociata për të gjetur paratë e nevojshme për rehabilitimin e shtratit të lumit Gjanicë.