Aksidenti në bulevard, i mbijetuari fajtor i tragjedisë
Pas përfundimti të akt- ekspertimit dhe ripyetjes së drejtuesit të mjetit "Land Rover". Shkak, mos respektimi i përparësisë në rrugë
Ekspertët e Policisë Rrugore kanë dalë në përfundimin se shkaktar i aksidentit tragjik me pasojë tre të vdekur dhe katër të plagosur që ndodhi në orët e para të ditës së diel në kryeqytet, dyshohet të jetë drejtuesi i makinës "Land Rover", i cili mbeti plagosur rëndë. Sipas burimeve të policisë së kryeqytetit që i referohen grupit hetimor, Kliton Andoni, i cili drejtonte makinën e tij në momentet e përplasjes me makinën tip BMW me targa italiane, dyshohet të jetë shkaktar i aksidentit tragjik, pasi nuk ka respektuar sinjalistikën rrugore, në rastin konkret sinjalin stop në kryqëzimin e bulevardit "Dëshmorët e Kombit" me bulevardin "Gjergj Fishta". Brenda automjetit "Land Rover" që drejtohej nga Andoni ishte dhe një person tjetër, i identifikuar me emrin Gentian Shehu, 27 vjeç, i cili gjeti vdekjen nga përplasja e fortë e dy automjeteve në bulevard duke u gdhirë dita e diel. Burime të Policisë së Tiranës, bënë të ditur dje se përplasja e mjeteve ka qenë tepër e fortë duke shkaktuar dëmtimin plotësisht të dy automjeteve "Land Rover", me targa të Tiranës dhe një BMW, ngjyrë gri me targa italiane. Policia ka ndaluar drejtuesin e fuoristradës "Land Rover", Kliton Andoni, 37 vjeç, i cili akuzohet për veprat penale të drejtimit të mjetit në gjendje të dehur, drejtimit të mjetit jashtë normave të lejuara të shpejtësisë dhe mos respektimit të sinjalistikës rrugore. Ndërkohë mësohet se akoma nuk kanë dalë rezultatet e analizës toksikologjike, që do të provojë nëse dy drejtuesit e automjeteve që u përfshinë në aksident kanë qenë të dehur apo jo, ku për të vërtetuar këtë dy drejtuesve të automjeteve iu janë marrë kampionë të gjakut. Aksidenti i rëndë ndodhi duke u gdhirë dita e diel në kryqëzimin e bulevardit "Dëshmorët e Kombit" me atë "Gjergj Fishta", ku nga përplasja e fortë humbën jetën tre persona, ndërsa u plagosën në gjendje të rëndë katër të tjerë. I vdekur në vend mbeti Aldi Ishmaku, drejtuesi i makinës BMW, me targa CC944XA, Blerta Beshi, pasagjere po në këtë automjet si dhe Gentian Shehu, 27 vjeç, pasagjer në makinën "Land Rover". Të plagosur rëndë mbeti Kliton Andoni, që dyshohet të jetë shoferi që nuk ka respektuar rregullat e qarkullimit, duke shkaktuar aksidentin, një vajzë me inicialet D. G dhe dy kalimtarë të rastit të identifikuar me emrat Arben Alla, 36 vjeç dhe Fatmir Leka, 20 vjeç.