Elbasan, debate për buxhetin 2010
Anëtarët e djathtë në Këshillin Bashkiak të Elbasanit dalin kundër buxhetit të kryebashkiakut Sejdini
ELBASAN-Në mbledhjen e fundit të vitit, Këshilli Bashkiak i Elbasanit, ka diskutuar projekt-buxhetin 2010, miratimi i të cilit për shkak të kritikave të së djathtës si mazhorancë në Këshill është shtyrë në një mbledhje tjetër. Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, ka sjellë në fjalën e tij në mënyrë të përmbledhur ato që synon ky projekt buxhet dhe ambicjen e bashkisë për rritjen e të ardhurave. Sipas Sejdinit, të ardhurat parashikohen në 1.2 milionë lekë, duke kapur një rritje prej 8,7 % më shumë se planifikimi i vitit 2009. Ai tha se ka një rritje të investimeve që përbëjnë 48% dhe një ulje të shpenzimeve. Pas kryebashkiakut e ka marrë fjalën kryetarja e Këshilltarëve të djathtë, Bardhoshe Sejdini. Ajo ka deklaruar se ka një rritje të buxhetit në masën 160% të parashikimeve nga viti 2009 dhe borxhi publik nuk deklarohet. Po kështu ajo deklaroi se ka një rritje mbi 59% mbi realizimin e 2009 dhe një rritje progresive e numrit të punonjësve duke rritur në këtë mënyrë shpenzimet. Pas renditjes të disa zërave në buxhet, Bardhoshe Sejdini kërkoi në emër të të djathtës të rishikohet projekt buxheti për të qenë sa më real. Kryebashkiaku i Elbasanit, pas deklaratës së të djathtës, tha se është parashikuar rritja e të ardhurave pasi administrata e bashkisë është ambicioze dhe kërkon të arrijë maksimumin duke pritur nga legalizimet dhe taksa e ndikimit në infrastrukturë.