Elbasan, mbyllen 5 shkolla
ELBASAN - Specialistë të Shëndetit Publik po ndërmarrin një fushatë sensibilizuese me gjithë arsimtarët në qytet dhe fshatra, me qëllim evidentimin në kohë të shenjave të para dalluese të gripit AH1N1. Prefekti i Qarkut të Elbasanit, Shefqet Deliallisi, u ka kërkuar gjatë një takimi marrjen e masave nga Drejtoria e Shëndetit Publik për evidentimin në kohë të virusit. "Përpara fillimit të shkollës, specialistët e epidemiologjisë janë ngarkuar që të organizojnë takime me arsimtarët ku t'u shpjegojnë simptomat e gripit, pasi janë në kontakt të drejtpërdrejtë me fëmijët", tha Deliallisi. Drejtori i Shëndetit Publik në qark, Fadil Brazhda, pohoi se nga monitorimi i të gjitha shkollave në qarkun e Elbasanit, pesë prej tyre nuk plotësojnë kushtet për nisjen e procesit mësimor më 14 shtator. Sipas tij, ato janë kryesisht në zonat e thella. Në bashkëpunim me komunat dhe Drejtorinë Arsimore, atyre u është kërkuar eliminimin e problemeve që pengojnë nisjen e procesit mësimor. Probleme të higjienës në institucionet arsimore ka dhe në qytetet e Librazhdit dhe Gramshit, ku kanë ndërhyrë bashkitë për gjetjen e zgjidhjes. Drejtoresha e Arsimit në Elbasan, Mimoza Matraxhiu pohon se drejtuesit e shkollave në rang rrethi u është lënë detyrë të marrin të gjitha masa për fillimin e vitit të ri shkollor, 2009-2010. a.k