Jashtë kushteve, mbyllen 4 shkolla në qarkun e Fierit
FIER/ MAJLINDA RAMA
Kur duhet vetëm një javë nga fillimi i vitit të ri shkollor, një pjesë e mirë e shkollave në zonat rurale të qytetit të Fierit nuk kanë kushtet më minimale për t'u ofruar nxënësve. Burime nga Drejtoria e Shëndetit Publik bëjnë të ditur se katër institucione shkollore nuk do të hapen fare këtë vit, ndërsa shumë të tjera janë në verifikim e sipër, nëse plotësojnë apo jo kushtet higjieno-sanitare. Pikërisht për këtë arsye janë ngritur edhe grupe të posaçme pune, të cilat po inspektojnë nga afër gjendjen e shkollave, kopshteve e çerdheve, të cilat janë në "listën e zezë" të inspektoratit përkatës. "Janë ngritur tashmë grupe pune me specialistë të mirëfilltë që po verifikojnë nga afër gjithë shkollat e rrethit të Fierit, për të nxjerrë në pah edhe kushtet që ato ofrojnë në këtë fillim viti. Nga inspektimet e kryera është vënë re se brenda qytetit të Fierit po punohet më me kujdes për përgatitjen e ambienteve shkollore, por nuk ndodh e njëjta gjë edhe në zonat rurale. Duhet përmendur se shkolla e fshatit Kallm këtë vit nuk do të hapet, pasi nxënësit nuk mund të zhvillojnë mësimin në mjediset e një lokali, ku nuk kanë as kushtet më minimale për të marrë dijet e mjaftueshme. E njëjta situatë është vënë re edhe në kopshtin e Kreshpanit, ku një mjedis tepër i vogël nuk mund të mbajë më shumë se 100 fëmijë". Nuredin Kallashi, Shefi i Higjienës në DSHP, përmend dhe shkollën e fshatit Topojë, e cila gjithashtu nuk do të hapet për shkak të mungesës së kushteve të higjienës. Për këtë të fundit kanë dalë edhe urdhëresa përkatëse, të cilat duhen zbatuar deri në datë 15 shtator, ditën e fillimit të shkollës. Ndërkohë që edhe një shkollë në Ruzhdie nuk mund të hapet këtë vit. Vetë Kallashi nuk ka lënë pa përmendur se këtë vit, si asnjë herë tjetër, ligji për higjienën do të zbatohet në mënyrë më rigoroze, duke pasur parasysh edhe rrezikun që kanoset nga gripi i derrave. E ndërsa Kallashi ka theksuar edhe punën që po bëhet për të parandaluar përhapjen e këtij gripi në mjediset shkollore, një tjetër problem shqetësues mbetet edhe ai i fondeve të munguara për sistemimin e mjediseve të shkollave dhe lyerjen e tyre. Kështu, në 6 shkolla të rrethit të Mallakastrës janë vetë mësuesit ata që po merren me sistemimin e klasave dhe lyerjen e mjediseve të jashtme e atyre të brendshme. Mësuesit ngrenë zërin se njësitë vendore nuk kanë përcaktuar një fond për sistemimin, lyerjen e sigurimin e bazës materiale për mirëmbajtjen e shkollave. Ata shprehen se prej më shumë se një jave merren me lyerjen e klasave dhe se gjithçka e kanë siguruar me të ardhurat e tyre. Situata paraqitet e njëjtë edhe në disa shkolla të zonës së Roskovecit, ku mësuesit po kujdesen për krijimin e kushteve të përshtatshme, në fillim të këtij viti të ri shkollor.