Pistoletë në kokë gruas, policia parandalon vrasjen
Etleva Delia
Grindjet në familje për shkak të xhelozisë rrezikuan dje të përfundonin me një krim në familje në Tiranë. Bashkëshorti ka tentuar të vrasë gruan, me të cilën jetonte prej disa vitesh dhe kishte dy fëmijë, me një pistoletë që mbante pa leje. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në afërsi të lagjes "Kinostudio" të Tiranës. Policia e Komisariatit Nr.4 dhe oficerë të Seksionit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit kanë arritur në kohë në vendin e ngjarjes, duke shmangur krimin në familje. Burime nga policia thanë se është arrestuar 39-vjeçari, Gëzim Bajrami, i cili është kapur në flagrancë duke kërcënuar me jetë bashkëshorten e tij. Pas prangosjes së tij, efektivat e policisë kanë sekuestruar edhe pistoletën, që ai e mbante pa leje, me të cilën po tentonte të vriste gruan, në kohën që fëmijët ishin në gjumë.
NGJARJA
Thirrjet për ndihmë të një 30-vjeçarje, e kanë shpëtuar atë nga vdekja, mëngjesin e djeshëm në Tiranë, pasi është dëgjuar nga fqinjët. Duke mos kuptuar se çfarë po ndodhte në banesën ku jetonte familja Bajrami, fqinjët nuk kanë humbur kohë që të zbulonin se çfarë po ndodhte, por kanë lajmëruar menjëherë në sallën operative të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Falë njoftimit të shpejtë dhe mbërritjes në kohë të efektivave të policisë, nga Komisariati Nr.4, por edhe nga Seksioni i Krimeve Kundër Jetës, është arritur të shmanget një krim i mundshëm në familje. Policia ka arritur të ndalojë në flagrancë 39-vjeçarin Gëzim Bajrami, i cili me një pistoletë që mbante pa leje, është kapur duke kërcënuar me jetën gruan e tij. Ndaj tij është marrë menjëherë masa e arrestit në flagrancë, ndërkohë bashkëshortja e Bajramit, është marrë në pyetje për disa orë për të sqaruar rrethanat e ngjarjes. Policia ka konstatuar vetëm disa shenja dhune në trupin e 30-vjeçares, ndërsa burimet sqaruan se ajo nuk është qëlluar me armë. Sipas policisë mësohet se bashkëshortja e Bajramit ka sqaruar se sherri mes tyre kishte nisur për motive xhelozie, dhe se kjo nuk ishte hera e parë që ata ziheshin për këtë arsye. Por dje grindja mes tyre kishte shkuar edhe më tej, aq sa 39-vjeçari ka nxjerrë pistoletën dhe dyshohet se ka tentuar ta vrasë. Gëzim Bajrami është arrestuar me akuzën e vrasjes me dashje të mbetur në tentativë, kanosje dhe armëmbajtje pa leje.