Elbasan, mësim në ish-repartin ushtarak
Nuk duhet të shkosh shumë larg në qytetin e Elbasanit për të parë se si vijon t'u jepet dije nxënësve në kushte shumë të këqija. Mësim me turne, lagështirë pa fund, mungesë hapësire dhe pritje me shpresën për një ndërtesë të re...
ELBASAN - Në tentativë për të gjetur një nga tempujt e dijes së periferisë së qytetit të Elbasanit, përpara na shfaqet një kanat i hekurt dhe i ndryshkur i një diçkaje që dikur duhet të ketë qenë portë. Në të djathtë ndodhet një tabelë e vogël ku shkruhet "Shkolla 9-vjçare Xhaferr Hakani" ndërsa ecim përpara për të mbërritur atje ku kemi dëgjuar se mësimi realizohet me turne.
Përballja me shkollën njëkatëshe (kemi mësuar se dikur ajo ndërtesë është përdorur si repart ushtarak) të jep një ndjesi pak të çuditshme. Ndoshta për faktin se të duket shumë e vogël për të besuar se në të mësojnë jo pak, por 303 nxënës. Përballë arrin të numërosh dritaret e vetëm 5 klasave. Një shtesë në njërin cep të ndërtesës tek e cila futesh me disa shkallë që vijnë në formë rrethi të kujton ato lokalet e hapura nëpër fshatra të ndryshme, por që ne na thonë se në të vërtetë është biblioteka. Në të vërtetë marrja e këtij informacioni është thjesht një plotësim i tablosë së të çuditshmeve në këtë shkollë, pasi shtesa në kat të dytë duket shumë e vogël për të pasur një funksion të tillë.
I marrim leje drejtuesve për të hyrë e për të parë disa nga klasat (edhe pse fjala disa në një shkollë ku ka vetëm pak klasa, merr një kuptim pak ironik). Futja në ambientin-shkollë të bën të ndihesh edhe pak konfuz. Nuk ekzistojnë korridoret e gjera. Në fakt ka vetëm korridore të ngushta nëpër të cilat ndesh jo pak nxënës që të shohin edhe pak hareshëm e pak të çuditur. Lagështira është e pranishme kudo. Në disa prej klasave vrragat e saj duket se nga momenti në moment do t'u zbresin nxënësve në trup. Madje, me të tilla vrraga, mësuesit duket se nuk do ta kenë të vështirë t'u shpjegojnë fëmijëve se ç'janë format abstrakte. Ngjyra e lagështirës (nëse mund t'i japim një përkufizim të tillë kaq dinjitoz një gjëje të tillë) ka shfaqur potencën e saj në pothuajse të gjithë muret e klasës, e jo vetëm në cepa. Madje, muri, që dikur është lyer me bojëqielli ka tashmë nuanca nga më të ndryshme falë lagështirës që hyn në klasa. Por jo vetëm brenda ambientit-shkollë. Edhe në verandën e jashtme është e njëjta situatë, ku suvatimi ka filluar të bjerë për shkak të lagështirës së shumtë.
Ndërkohë, mësuesit shprehen se kanë kërkuar lyerjen dhe meremetimin e taracës në mënyrë që uji të mos futet brenda, megjithëse lyerjen në pjesën më të madhe mësohet se e kanë realizuar me mundësitë e veta. Në fakt, një nga mësuesit, Leonard Tole, thotë se për problemet që ka kjo shkollë janë bërë të gjitha shkresat dhe janë njoftuar të gjitha institucionet, por nuk ka pasur asnjë reagim. Problemi më i madh sipas tij është lagështira, pasi godina është mjaft e vjetër.
E në këtë "shkollë" nuk ka mbërritur ende projekti "Shqipëria në moshën e internetit", pasi ambientet nuk mjaftojnë për të futur nxënësit e jo më kompjuterat. Dhe patjetër nuk ekziston asnjë lloj laboratori tjetër. Sa për orën e fizkulturës, atë e plotëson më së miri një kosh basketbolli i vënë në një cep të oborrit, pasi për fushë as që mund të mendohet. Madje, ndër gjërat e tjera që mund të vëresh në këtë shkollë është se për 303 nxënësit, si dhe 26 vogëlushët ekziston vetëm një banjë (nuk ka nevojë për shumë fantazi për të kuptuar se ç'mund të ndodhë në pushimin e gjatë).
Prindërit janë ankuar shpesh lidhur me këtë situatë në të cilën duhet të studiojnë fëmijët e tyre. Megjithatë, përgjigjja e vetme që marrin është tëp resin për ndërtimin e shkollës së re, ndërtim që nisi para 5 vjetësh dhe u pezullua 3 vjet më parë.
Mësim me çadra
Mësohet se për shkak të këtyre kushteve ka ndodhur që një klasë me 36 nxënës që zhvillonin mësimin në një ambient rreth 9 m 2 e bojkotuan. Njëri prej këtyre nxënësve është edhe Eno Alikaj. Ai thotë se këtë veprim e bënë në shenjë proteste, pasi shiu gjerbonte dhe do t'u duhej t'i mbanin çadrat hapur ndërsa zhvillonin mësim. Ai tha se iu kthyen mësimit pasi kishin frikë se do të penalizoheshin, ndërkohë që në ambientet e klasës nuk pati ndonjë ndryshim. Ndërsa, Ledian Broshka i klasës së 7-të thotë se numri i madh i nxënësve në klasë bën që ata të mos zhvillojnë një mësim normal. "Kësaj shkolle i mungojnë shumë gjëra për të qenë e tillë", shprehet 13-vjçari. "Klasat janë të vogla nuk ka ambiente për sport e laboratore. Jemi duke pritur përfundimin e shkollës së re", - përfundon Broshka.
Në pritje të shkollës së re
Rreth 5 vjet më parë filloi të ndërtohej një shkollë e re në vendin e quajtur Fusha e Druve, e cila do të mblidhte të gjithë nxënësit e pellgut të NSHU-së dhe të lagjes "28 Nëntori" në Elbasan. Por, ndërsa banorët presin përfundimin e saj, kjo godinë është braktisur e po shkon drejt degradimit prej rreth 3 vjetësh. Shkak për lënien përgjysmë, ose më mirë të themi të rrethimit dhe të pak meremetimeve, ka qenë fondi i pamjaftueshëm. Nga informacionet e marra në bashki mësohet se janë dashur rreth 15 milionë lekë të reja shtesë fondi pasi rrethimi nuk ishte parashikuar në preventivin fillestar dhe disa punime të vogla, të cilat duhet të mbulohen nga Ministria e Arsimit. Me gjithë shkresat përcjellëse dhe korrespondencat, nga ana e ministrisë nuk ka ardhur asnjë fond shtesë. Kjo ka bërë që firma ndërtuese të lërë përgjysmë punimet dhe godinën ta ruajë vetëm një roje. Godina e re po shkon drejt degradimit dhe nuk do të mjaftojnë vetëm 15 milionë lekë për ta sjellë në gjendje normale. Edhe në drejtorinë arsimore të Elbasanit nuk dinë të na japin ndonjë përgjigje se kur do të mbarojë ky investim. Përballë kushteve të vështira në të cilën ndodhet shkolla "Xhaferr Hakani", përfaqësuesit të drejtorisë së Arsimit ngrenë supet, pasi sipas tyre mirëmbajtjen e ka bashkia. Ndërkohë, nga bashkia mësojmë se nuk mund të investohet në këtë godinë tejet të armortizuar kur godina e re duhet të kishte përfunduar prej tre vjetësh. E teksa "topi" hidhet nga një institucion në tjetrin, nxnënësit e shkollës 9-vjçare "Xhaferr Hakani" vijojnë të vuajnë pasojat.