E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, policia i kthen Gatuzos mjetin e vjedhur

 TIRANE - Policia e Tiranës pas një urdhri të Prokurorisë i ka kthyer futbollistit të Milanit, Gennaro Gattuso, makinën që i ishte vjedhur më shumë se 3 vite më parë dhe që u sekuestruar në kryeqytet në nëntor të vitit të kaluar. Automjeti tip “Range Rover”, me targë shqiptare, TR 0056 P dhe me targë origjinale të saj Cë 542 YG, ka mbërritur dje në Bari të Italisë, e nisur nga seksioni i Antitrafikëve nëpërmjet Portit të Durrësit. Burime nga policia thanë se dje është ekzekutuar urdhri i Prokurorisë së Tiranës për kthimin e dy automjeteve të vjedhura në Itali, njëra prej të cilëve është në pronësi të Gatuzos dhe i është grabitur në Itali më 2 tetor të vitit 2006. Automjeti i futbollistit të ekipit të Milanit është sekuestruar te rruga e Durrësit në Tiranë, më 11 nëntor 2009, gjatë një aksioni të Seksionit Kundër Trafiqeve të Paligjshme. Makina “VIP”, ishte futur në territorin shqiptar nga një shtetas italian dhe më pas i ishte shitur një shqiptari, i cili nuk e dinte se kujt i ishte vjedhur makina. Ndërsa dje autoritetet shqiptare i kanë dorëzuar automjetin, kompanisë së sigurimeve, emri i të cilës rezultonte në dokumentet origjinale të saj. Sipas policisë automjeti “Range Rover” i është dorëzuar kompanisë së sigurimeve “Allianz SPA” me seli në Bari të Italisë, e cila më pas ka njoftuar për ta marrë futbollistin e njohur, i cili është edhe pronari legjitim i makinës. Automjeti i futbollistit italian, Gatuzo, prej tre vitesh lëvizte në Tiranë me targë TR 0056 P. Prej 3 muajsh makina ka qëndruar te Drejtoria e Policisë së Tiranës, ndërsa dje ka mbërritur në Bari të Italisë.                         e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›