E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimet e Rënda rrëzojnë 6 kërkesat e Aldo Bares

 Armand BajramiGjykata për Krimet e Rënda rrëzoi dje kërkesën e Aldo Bares, të akuzuarit si kreu i “bandës së Lushnjës”, për pushimin e dosjes me akuzat e ngritura ndaj tij. Me një vendim të ndërmjetëm pesëshja gjykuese e Krimeve të Rënda vendosi të rrëzojë kërkesat e Bares për pavlefshmëri absolute të të gjitha akteve të dosjes, përfshi dhe njoftimin e akuzës për Baren, dërgimin e çështjes në gjyq dhe kërkesën për gjykim. Gjykata rrëzoi njëherësh pretendimet e Bares, se ai ishte gjykuar njëherë për veprën penale të “krijimit dhe pjesëmarrjes në bandë të armatosur”, si edhe parashkrimin e veprës penale të “shkatërrimit të pronës me zjarr”. Mbrojtësi ligjor i Bares në proces, avokati Vladimir Meçi, paralajmëroi dje se në seancën e ardhshme do të kërkojë gjykim me kohë të shkurtuar për klientin e tij Aldo Bare. Avokati i kërkoi gjykatës kohë për t’u konsultuar me klientin e tij për kërkesa të tjera paraprake, kërkesë që u pranua nga Gjykata e Tiranës. Në rast se kjo e fundit pranon gjykimin e shkurtuar për Baren dhe në përfundim të gjykimit e shpall atë fajtor për akuzat, i akuzuari si drejtuesi i “bandës së Lushnjës” shmang dënimin me burgim të përjetshëm.SEANCANdryshe nga c’pretendonte në një letër dërguar Gjykatës në seancën e fundit për “gjendje të rënduar shëndetësore”, dje Aldo Bare dukej fizikisht qëndrueshëm në kafazin e sallës së gjyqit. I veshur me këmishë të bardhë dhe xhaketë të zezë përmbi, i njohuri edhe si Alfred Shkurti, dëgjoi qetësisht vendimin e gjykatës në lidhje me kërkesat e bëra prej tij. Kryesuesja e seancës, gjyqtarja Fatmira Hajdari lexoi dje vendimin e ndërmjetëm, i cili rrëzonte të gjitha të gjitha kërkesat e Aldo Bares për pavlefshmëri absolute të akteve. Sipas vendimit, të gjitha veprimet e kryera nga Prokuroria për Krimet e Rënda gjatë fazës së hetimeve paraprake deri te dërgimi i dosjes në gjykatë ishin konform ligjit. “Afati 2-vjeçar i hetimeve nuk ka kaluar”, u shpreh dje gjyqtarja Hajdari, duke shtuar se zgjatjet e afatit të hetimeve nga Prokuroria nuk është kundërshtuar në asnjë rast nga avokati i Bares. Pesëshja gjykuese e Bares te Krimet e Rënda e konsideron të rregullt ligjërisht gjithashtu edhe njoftimin e akuzës për Aldo Baren, gjithashtu dhe dërgimin e çështjes për gjykim. Po ashtu, gjykata cilësoi si të pabazuara në ligj pretendimet e Bares se nuk duhet të gjykohej me për akuzën e “krijimit dhe pjesëmarrjes në bandë të armatosur”, pasi ishte gjykuar njëherë për ketë vepër. Kërkesat e Aldo Bares për deklarim si absolutisht të pavlefshëm të të gjitha akteve të dosjes, u lexuan pak seanca më parë nga mbrojtësi i tij ligjor. Ndërsa prokurorët e çështjes deklaruan gjatë shprehjes së qëndrimit të tyre për kërkesat se “organi i Prokurorisë kishte zbatuar me rigorozitet ligjin në çdo hap të hetimeve”. Kërkesat e Bares:1.Tejkalim i afatit maksimal të hetimeve2.Njoftim i akuzës, jashtë afatit3.Dërgimin e çështjes në gjykatë, jashtë afatit4.Kërkesa për gjykim, jashtë afatit5.Gjykim për vepër penale të gjykuar më parë6.Gjykim për vepër penale të parashkruarShëndeti, Aldo Bare braktisi procesinTIRANE – I akuzuari si kapo i bandës së Lushnjës Aldo Bare, ka pretenduar për disa probleme shëndetësore që e kanë penguar të shkojë në seanca në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Në seancën e javës së kaluar Aldo Bare nuk u paraqit në seancë. Në një deklaratë dërguar gjykatës, ai kërkonte shtyrje të seancës pa praninë e tij dhe pretendonte gjendje të rënduar shëndetësore. Problemet shëndetësore konfirmoheshin nga mjekët e paraburgimit 313. Por, sipas tyre, Bare ishte në gjendje të paraqitej në seancë. Mungesa e Barës u konsiderua nga gjykata si refuzim prej tij. I akuzuari si kreu i “bandës së Lushnjës”, Aldo Bare, mbahet i izoluar në kushte të larta sigurie në paraburgimin 313 në kryeqytet që prej 25 nëntorit 2009, ditë kur ai u ekstradua nga Turqia. Bare akuzohet nga Prokuroria për Krimet e Rënda për një sërë veprash të rënda penale të kryera në vitet 1997-2000 përfshi ato të “vrasjes me dashje” dhe “vrasje në rrethana cilësuese”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›