E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasan, paqartësit e para me legalizimin

26/01/2005  

ELBASAN - Bashkia e qytetit të Elbasanit ka vendosur ngritjen e një grupi të veçantë pune për legalizimin e ndërtimeve në zonat informale. Miratimi i ligjit për legalizimin e ndërtimeve pa leje në zonat informale ka vënë në pozita pune institucionet vendore, të cilat tashmë kanë në duar edhe formularët që përbëjnë edhe fazën e parë për legalizimin e banesës.

Grupi i punës

Bashkia e Elbasanit ka vendosur që për këtë proces të organizojë një grup të veçantë, i cili do të përbëhet nga një inxhinier, një topograf, një jurist dhe një përgjegjës sektori. Këshilli bashkiak për procesin në fjalë ka miratuar edhe një fond pagash, ndërsa do të fillojë nga puna edhe grupi që do të shpërndajë formularët e vetëdeklarimit të pronës për t’u legalizuar. Drejtoria e Urbanistikës, pranë këshillit bashkiak, konfirmon se nga 5000 ndërtime pa leje të regjistruara në këto zona, 2000 prej tyre janë lehtësisht të legalizueshme, pasi disponojnë edhe dokumentacionin e kërkuar për të filluar fazën e dytë, ndërsa pjesa tjetër ka probleme të theksuara me planet urbanistike dhe plotësimit të kritereve të vetëdeklarimit. Krijimi i këtij grupi do t’i shërbejë qytetarëve për të bërë më të lehtë legalizimin e banesave në zonat informale. Procesi i vetëdeklarimit me anë të formularit përfundon më 24 mars dhe pas kësaj date të gjithë ata që nuk kanë kaluar fazën e parë nuk do të kenë mundësi të ligjërojnë shtëpinë apo çdo ndërtesë tjetër. Bashkia ose policia ndërtimore duhet të ndërhyjë duke prishur ndërtimet e palegalizuar pas përfundimit të procesit të bazuar në ligj.

Legalizimet

Vetëm pak ditë më parë, drejtuesit e pushtetit vendor, në Elbasan, janë shprehur pesimistë për procesin e legalizimit të banesave pa leje. Pesimizmin e rezervat e tyre, ata i kanë shprehur para drejtorit të agjencisë së urbanizimit të zonave informale Eduart Cane, gjatë një seminari të zhvilluar në Elbasan, për nismën e ndërgjegjësimit të vendorëve në lidhje me procesin që do të fillojë në muajin prill. “Formulari i vetëdeklararimit të pasurisë do të plotësohet nga çdo shtetas, i cili kërkon të legalizojë banesën e tij në zonat informale”, ka shpjeguar Cane.

Më pas, ai i ka bërë të ditur drejtuesve vendorë dhe specialistëve të urbanistikës për kujdesin që duhet të kenë në lidhje me saktësimin e të dhënave nga shtetasit që do të vendosin ta plotësojnë atë. Shumë kryetarë komunash kanë shfaqur paqartësi në lidhje me këtë proces, i cili do t’u kërkojë atyre edhe dokumentimin e formularëve pranë njësive vendore. Ndërsa për zonat urbane do të shërbejnë planet urbanistike të qyteteve për zonat informale do të shikohet planimetria dhe të gjitha defektet e tjera të një ndërtimi jashtë vijës së verdhë.

5000 ndërtime

figurojnë pa leje

2 mijë ndërtime

lehtësisht të ligjërueshme

3 mijë ndërtime

rezultojnë me probleme

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›