E Diel, 1 Nëntor 2026

Reshjet e pandërprera të borës të rëna prej dy ditësh

26/01/2005  

KUKËS - , i ftohti, bllokimi, pasojat dhe orteqet janë shenjat e para se në qytetin verilindor të Kukësit, po përsëritet dimri i vitit 1985, ku u shënuan 14 viktima.

Rrugët

Trashësia e dëborës arriti dje një metër brenda në qytetin e Kukësit. Ndërkohë kanë filluar pasojat e para të izolimit nga dëbora në rrethet e Qarkut të Kukësit. Reshjet e dëborës, të cilat vazhdojnë të bien pa ndërprerje dhe me intensitet të lartë, kanë bërë që e gjithë zona e verilindjes së vendit të jetë pothuajse e izoluar nga qendra e Shqipërisë dhe Kosova. Ndërkaq për disa fshatra si Shtiqni, Nagë, Krencë etj., të cilat ndodhen në rrëzën e malit Gjalica, si dhe të maleve të tjerë, mbeten të kërcënuar seriozisht nga orteqet.

Ndërkaq rreziku më i madh vazhdon të mbetet aktualisht qarkullimi i automjeteve, pasi pjesa më e madhe e rrugëve vazhdojnë të mbeten të bllokuara nga dëbora.

Dje me shumë vështirësi është bërë e kalueshme, pas ndërhyrjes së

borëpastruesve të drejtorisë rajonale të rrugëve, segmenti Kukës-Krumë, ndërsa vazhdojnë të jenë të bllokuara segmentet rrugore që lidhin rrethet e verilindjes me Tiranën dhe Kosovën.

Burime të sektorit të qarkullimit rrugorë, të cilët bëjnë të ditur nga terreni se nuk ka patur aksidente automobilistike, pasi dhe qarkullimi i automjeteve nga vetë përvoja e fituar në kohë me dëborë nga shoferët kuksianë, është tepër i pakët edhe në ato rrugë që janë të kalueshme me zinxhirë. Vazhdojnë të mbetet problem, sipas rrugorëve, izolimi i një numri makinash në segmentin Kalimash-Fushë Arrëz, që i ka zënë bora në rrugë e sipër ku po punohet për sigurinë dhe kthimin e tyre në Kukës. Ndërkaq burimet e mësipërme kanë bërë të ditur se rreth shtatë makina janë bllokuar nga një ortek, që ka rënë dje në Grykën e Vanave, ku trashësia e dëborës i ka kaluar 1.5 m në segmentin e rrugës që lidh komunat Shishtavec, Orgjost, Topojan etj., me qytetin e Kukësit.

“Masive të mëdha dëbore kanë rrëshqitur nga faqet anësore të kanionit të Vanave, duke zënë poshtë në rrugën që kalon në fund të kanionit shtatë automjete transporti 8+1, fatmirësisht pa shkaktuar viktima, por vetëm izolimin e tyre. Dje dy mjete borëpastruese kanë bërë të mundur zhbllokimine tyre”, nënvizojnë burimet e policisë rrugore.

Shëndetësia dhe arsimi

Burimet pranë shtabit të emergjencës, ngritur pranë prefekturës së Kukësit për menaxhimin e situatës së krijuar nga moti i keq, bëjnë të ditur se kanë filluar pasojat e para të izolimit, ku dy të sëmurë në fshatin Shkinak, të komunës së Bushtricës, afër zonës së Çajës, paraqiten rëndë nga ana shëndetësore dhe kërkojnë mjekim spitalor ku në këto zona mungon.

Burimet sqaruan se “jemi në kontakt të herëpashershëm me të sëmurët në fjalë, që mendohen të kenë sëmundje kronike, nëpërmjet kryetarit të kësaj komune, por gjendja e tyre fatmirësisht dje nuk ishte kritike për jetën, megjithëse kërkohet mjekim spitalorë i specializuar. E vetmja mënyre për t’i transportuar mbetet në rrugë ajrore, pasi trashësia e dëborës, rreth 1.5 metër në këtë zonë, ka bllokuar të gjitha rrugët që lidhin komunat me qytetin e Kukësit. Ndërkaq koha e vranët dhe reshjet e dëborës bëjnë të pamundur uljen e helokopterit, që mund të bëjë transportin e tyre drejt Kukësit apo Tiranës”, sqarojnë burimet e shtabit të emergjencës.

Ndërkohë, dje, në të tre rrethet e Qarkut të Kukësit, si rezultat i dëborës së madhe nuk kanë mundur të bëjnë mësim pjesa më e madhe e shkollave të arsimit parauniversitar. Edhe shkollat e qytetit të Kukësit kanë vazhduar pjesërisht mësimin me orë të shkurtuara, sqarojnë burimet e Drejtorisë Rajonale të Arsimit në Kukës. Sipas tyre, pritet që të njoftojnë zyrtarisht mbylljen e shkollave përkohësisht në varësi të ecurisë së motit.

Ndërkohë edhe mungesa e energjisë elektrike për 15-16 orë në ditë ka ndikuar negativisht për përballimin e situatës së krijuar nga moti i keq me borë.

Në vitin 1985 u shënua dimri më i ashpër i shekullit të fundit ku trashësia e dëborës në disa komuna të thella të Kukësit arriti katër metër, ndërsa brenda në qytet, i cili ndodhet 340m mbi nivelin e detit, trashësia e dëborës shënoi 2.1 metër, duke izoluar për muaj të tërë të gjithë veriun dhe verilindjen e vendit. Për pasojë të dëborës së madhe dhe pirgjeve të krijuara nga erërat e fuqishme u shënuan disa orteqe, ku më i madhi ishte në komunën Shtiqën, rreth 5 kilometër nga qyteti i Kukësit, ku humbën jetën 11 persona.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›