E Diel, 1 Nëntor 2026

Në pranga i pesti i grabitësve vlonjatë të “Mercedesëve”

26/01/2005  

Lushnjë:

LUSHNJE - Arrestimi i tre pjesëtarëve të grupit të grabitësave të "Benz”-ave, tri ditë më parë në qytetin e Ballshit, i ka hapur rrugë hetimit të shtrirjes së këtij grupi si në gjeografi ashtu dhe në pjesëtarët e tjerë të tij. Dje është arrestuar një i dyshuar si pjesëtar i këtij grupi, Sabaudin Çela, 37 vjeç, nga Vlora, ndërsa listës i është shtuar dhe i arrestuari i dy ditëve më parë Maksim Mara, 25 vjeç, po nga Vlora. Sipas burimeve zyrtare të policisë së qytetit të Fierit, mësohet se arrestimi i 37-vjeçarit Çela është bërë rreth orës 21.30, në bazë të një urdhri të lëshuar nga Prokuroria e rrethit Lushnjë, datë 24 janar i këtij viti, si autor i vjedhjes së makinës së shtetasit Todi Kondakçiu dhe tentativës së vjedhjes së një makine tjetër, atë të shtetasit Estref Çullhaj, vepra këto të ndodhura më 13 janar 2005 në fshatin Kolonjë. Burime kofidenciale nga policia e Fierit bëjnë të ditur se emri i Sabaudin Çelës është mësuar pas kallëzimeve të tre të arrestuarve ditën e shtunë nga policia e Fierit, emrat e të cilëve u ruajtën sekret për shkak të hetimit të mëtejshëm të këtij grupi. Në krye të aksionit për kapjen e tre të parëve ka qenë vetë shefi i komisariatit të Fierit, Naun Doko, i cili ka pohuar për gazetën “Metropol” se zbulimi i tyre ka qenë i rastësishëm, pavarësisht se për kapjen e tyre kishte kohë që po punohej. Grabitësit kanë rënë në grackën e policisë në qytetin e Ballshit, pikërisht në kohën kur edhe po bënin shitjen e radhës së një Benzi të vjedhur. Burimet nga policia e Fierit dhe Lushnjës kufizojnë informacionin mbi njerëz të tjerë të këtij grupi, të cilët ndodhen ende të lirë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›