E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasan, plagoset komisioneri në disa fshatra bllokime

Në komunën Pishaj nuk do të votohet. Problem me fletët e votimit. Në dy kutitë e para rezultati 170 vota për “Aleanca për të ardhmen” dhe 103 vota për “Aleanca për qytetarin”

Strukturat e Drejtorisë Policisë Qarkut Elbasan dhe të komisariateve pjesë përbërëse e saj, Elbasan, Librazhd, Peqin, Gramsh, janë angazhuar për kryerjen e detyrave dhe shërbimeve policore për ruajtjen e objekteve zgjedhore deri në çeljen e votimit, garantimin e rendit dhe të qetësisë publike gjatë ditës së votimit dhe shoqërimin e kutive të votimit me materialet e tjera zgjedhore nga QV-të për në VNV, si dhe parandalimin e veprimtarive kriminale në këtë periudhë. Që nga momenti i dorëzimit të qendrave të votimit, të gjithë punonjësit e policisë të dislokuar me shërbim për ruajtjen e tyre, janë larguar nga qendrat e votimit, duke qëndruar larg tyre, me qëllim ndërhyrjen në rast incidentesh të mundshme. Në qytetet dhe në zonat rurale në të gjithë qarkun e Elbasanit, në periudhën e fillimit të procesit të votimit në afërsi të qendrave të votimit apo në rrugë nuk ka patur asnjë mjet apo forcë policie, përveçse në rastet e kërkesës së ndihmës nga komuniteti për probleme të ndryshme.

Në qarkun e Elbasanit, gjatë natës, nuk është konstatuar asnjë incident. Në qytetin e Cërrikut ka pasur probleme me shpërndarjen e bazës materiale. Sipas Dhimitraq Zografit, koordinator i KQZ-së për Qarkun e Elbasanit, për shkak të konflikteve mes komisionerëve, shpërndarja e materialeve zgjedhore ka përfunduar pas orës 02.00 të mëngjesit.

Ndërsa PS-ja e Gramshit lajmëron se në komunën Pishaj policia i ka bllokuar. dokumentet automjeteve që mbanin në xhama posterat e kandidatëve. Ata e kanë cilësuar këtë jo propagandë, por një veprim të qëllimshëm të policisë.

Vetëm pak minuta pas nisjes së votimit është bllokuar procesi në komunën Pishaj Gramsh dhe komunë Papërr, Elbasan. Problemi është i njëjtë, pasi emrat e kandidatëve nuk korrespondojnë me siglën e koalicionit përkatës. Në Pishaj është ndërprerë procesi dhe dërgohet ankesa në KQZ, ndërkohë në Papërr me konsensusin e dy kandidatëve Shefqet Bullari dhe Gani Cani, nëpërmjet një akti noterial, është lejuar që të vazhdojë procesi i votimit edhe pas këtij problemi të hasur në fletët e votimit. Ndërkohë komunës Pishaj nuk i është dhënë një përgjigje dhe pritet të votojë në javët në vazhdim.

Në komunën Pishaj kandidojnë 4 kandidatë, ku kryesorët janë Klodian Taçe i Aleancës për qytetarin dhe Estref Çekrezi i Aleancës për të Ardhmen. Në fshatin Gorisht të komunës Tregan nuk nis procesi i votimit pasi mungojnë listat e zgjedhësve. Në një kohë rekord zëvendësohen listat, dhe nis procesi. Në Zavalinë u identifikuan dy kuti të thyera nga komisioni. Lajmërohet KQZ dhe zëvendësohen kutitë nëpërmjet dërgimit nga helikopteri i KQZ-së.

Plagosja

Në ambientet e shkollës “Qamil Guranjaku”, që shërben për dy qendra votimi, është goditur një votues. Sipas PD-së, në afërsi të qendrës së votimit të shkollës “Qamil Guranjaku”, qytetari Kastriot Zhidro është goditur me sende të forta nga një grup mbështetësish të kandidatit socialist Qazim Sejdini. Por ndërkohë policia e shtetit ka dalë në një deklaratë për mediat ku sqaron se ndiqet në gjendje të lirë personi që ka goditur shtetasin e mësipërm. Ilir Dedja, invalid e ka goditur me patericën e tij 34-vjeçarin K. Zhidro, është proceduar për I. Dedja 38 vjeç, lindur dhe banues në lagjen ‘Visarion Xhuvani” Elbasan, së bashku me vëllain e tij shtetasin Mirjan Dedja, 29 vjeç lindur dhe banues ne lagjen ‘Visarion Xhuvani” Elbasan, kanë goditur me mjete rrethanore për një grindje te çastit, duke i shkaktuar dëmtime në trup shtetasin K. Zhidro. I dëmtuari u dërgua në spitalin kirurgjik Elbasan, ku mori mjekimin e nevojshëm. Ndaj dy shtetasve të mësipërm ka filluar procedim penal në gjendje të lirë, për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje e kryer në bashkëpunim”.

Cërrik, kandidati thyen kutitë e votimit

Në qarkun e Elbasanit, në një nga zonat e Cërrikut, është regjistruar një incident i rëndë gjatë procesit të votimit. Sipas kryetarit të KZAZ-së numër 13, Ismail Hoxha, kandidati i Aleancës për të Ardhmen, i ndihmuar nga i biri, ka thyer kutitë e votimit. Burimi në fjalë njofton se fletët e votimit janë në dysheme, ndërkohë që të dhënat e incidentit i janë dërguar nga komisionerët KQZ-së. Sipas Hoxhës, komisionerët janë në pritje të një udhëzimi nga KQZ dhe po ashtu edhe policia, e cila nuk ka ndërmarrë asnjë veprim pas ngjarjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›