E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasan, pranga biznesmenit me ora kontrabandë

 

ELBASAN - Pranga biznesmenit nga Tirana për kontrabandë të orëve. Sektori i krimit ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit  bëri të mundur arrestimin e Romeo Sakollarit, pasi gjatë një kontrolli në mjetin e tij tip “Land Rover” me Targë TR 0812 S, iu gjetën 427 ora të markave të ndryshme. Blutë hodhën dyshime se ato mund të jenë futur kontrabandë nëpërmjet pikës kufitare të Kapshticës. “Romeo Sakollari, 41 vjeç, po transportonte me mjetin e tij këto sende, të cilat kapin një vlerë prej rreth 15 mijë eurosh”, bëri të ditur dje policia e Elbasanit. Informacioni në lidhje me këtë veprimtari të paligjshme është marrë nga ana e oficerëve të policisë në rrugë operative. Pasi u vlerësua informacioni i marrë, menjëherë blutë ngritën një postbllok në hyrje të qytetit të Elbasanit dhe ndaluan mjetin e dyshimtë. Ata kryen kontroll dhe gjetën edhe mallin e kaluar kontrabandë. Mësohet se pas konstatimit të sendeve me vlerë, rreth orës 02:00 të së hënës u krye edhe arrestimi i 41-vjeçarit që po udhëtonte nga Korça në drejtim të Tiranës, duke transportuar 427 ora për të cilat ai kishte shmangur edhe detyrimet doganore. Sipas policisë, Sakollari është pronar i një pike shumice në kryeqytet ku dyshohet se do të tregtoheshin edhe orët që ai po transportonte. Policia ngriti ndaj tij akuzën e “Tregtimit dhe transportimit të  mallrave që janë kontrabandë”, deri në sqarimin e plotë të rrethanave.                            a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›