Fondacion për rritjen e investimeve private
Krijohet fondacioni Shqiptaro-Amerikan për nxitjen e investimeve private në vend. Ky fondacion do të mbështesë me investime sipërmarrjen private, zhvillimin e kapaciteteve udhëheqëse, turizmin kulturor dhe ekoturizmin. Deklarata është dhënë dje nga Michael Granoff, kryetari i Bordit të Drejtorëve i Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve. Me rastin e krijimit të këtij Fondacioni në Shqipëri, Granoff tha se me aprovimin e Qeverisë Amerikane, nëpërmjet Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit (USAID) dhe Departamentit të Shtetit të SHBA-së, “pritet që ky institucion të jetë ndër më fitimprurësit që ka pasur Shqipëria ndonjëherë”. Sipas tij “Në mbarë Shqipërinë, nevoja për arsimim dhe kualifikim shtrihet në çdo nivel të jetës, që nga mësimi i koncepteve bazë në shkollat e mesme e deri tek kualifikimi i drejtuesve më të lartë të kompanive. Këto do të jenë lentet nëpërmjet të cilave fondacioni do të shohë fillimin e aktivitetit të tij. Jemi të sigurt që fondacioni ka mundësinë të japë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e Shqipërisë. I vetmi interes i yni është përmirësimi i jetës së Shqiptarëve”. Fondi i dhënë për këtë institucion zhvillimi, sipas Granoff, “kap shifrat e një kapitali fillestar prej 100 milionë dollarë, ndërsa fusha e investimit do të jetë nxitja dhe zhvillimi i programeve për sektorin privat në Shqipëri. Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, John Withers, pjesëmarrës në këtë konferencë, theksoi se “Michael Granoff ndau me ju një premtim, një shpresë për të ardhmen e investimeve dhe të progresit të Shqipërisë, me mbështetjen e Qeverisë Amerikane”. Kapitali i këtij Fondacioni (AADF) të sapokrijuar, është rezultat i suksesit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve (AAEF), përgjatë ekzistencës së tyre 14-vjeçare në Shqipëri. Gjatë këtyre viteve, AAEF-ja dha një kontribut të rëndësishëm për ekonominë shqiptare, strukturat ligjore të shtetit, institucionet financiare dhe për shoqërinë shqiptare në tërësi.