INSTAT: Rritja ekonomike në qershor vetëm 1 për qind
Fabiola Çela
Ekonomia është rritur vetëm me 1 për qind gjatë tremujorit të dytë të vitit. Sipas të dhënave më të fundit nga INSTAT-it, gjatë këtyre muajve sektorët që kanë pasur rritjen më të lartë janë ndërtimet e shërbimet, ndërkohë që është vënë re ulje e veprimtarisë së tregtisë dhe industrisë.
INSTAT
“Ekonomia në tremujorin e dytë të vitit 2009 u rrit me 5.3 për qind, kundrejt tremujorit të dytë të vitit 2008, ndërsa krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2009 u rrit me 1 për qind.
Në këtë tremujor degët që kanë pasur rritjet më të larta ishin post telekomunikacioni, shërbimet, ndërtimi, respektivisht me 18.1 për qind, 15.9 dhe 9.8 për qind, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2008. Degët që patën rënie në këtë tremujor ishin industria dhe tregtia me -6.3 dhe -3.2 për qind. Më konkretisht, aktiviteti bujqësor në tremujorin e dytë të 2009, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, është rritur me 2.7 për qind. Grupi i industrive pësoi një rënie prej 6.3 për qind në tremujorin e dytë të 2009, krahasuar kjo me tremujorin e dytë të 2008. Ndërkohë që aktiviteti i ndërtimit në tremujorin e dytë të vitit 2009 u rrit me 9.8 për qind, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2008. Grupi, Tregti, Hotele dhe Restorante, pati një rënie prej 3.2 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2009, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Aktiviteti i transportit në tremujorin e dytë të vitit 2009 u rrit me 1.7 për qind, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë.
Dega e post-telekomunikacionit pati një rritje prej 18.1 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2009, përkundrejt tremujorit të dytë të 2008 dhe dega e shërbimeve në tremujorin e dytë të vitit 2009 pati rritje me 15.9 për qind, kundrejt tremujorit të dytë të vitit 2008”, thuhet në publikimin e INSTAT-it.
Rritja ekonomike
Ashtu siç edhe pritej, ekonomia po rritet me ritme më të ngadalta se vitet e kaluara. Shkak për këtë është kriza ndërkombëtare financiare. Por që gjithsesi, krahasuar me vendet e tjera të rajonit, pozitive është fakti që ekonomia shqiptare vazhdon të ketë një rritje pozitive sado me ritme të ngadalta qoftë ajo. Muaj më parë, ekspertë të ekonomisë paralajmëruan se kriza do të ndikonte dhe në vendin tonë, efektet e krizës do të ndiheshin në uljen e dërgesave të emigrantëve dhe në rënien e eksporteve, gjë e cila u vërtetua. Ndërkohë, sipas tyre, edhe rritja ekonomike nuk do të ishte më 6 për qind, siç ishte parashikuar në fillim të vitit. Një gjë e tillë është pranuar edhe nga vetë zyrtarët e qeverisë, sipas të cilëve, kjo rritje ekonomike do të jetë më e ulët se 6 për qind.