Topi fton çekët të investojnë në vend
Presidenti Bamir Topi ka ftuar dje biznesmenët çekë të investojnë në Shqipëri. Gjatë forumit të djeshëm të biznesit, Presidenti Topi u shpreh se “Shqipëria është një tregues shumë i rëndësishëm i rritjes ekonomike, por Shqipëria mendon të jetë pjesë e një tregu rajonal. Kjo do të thotë që biznesmenët çekë mund të konsiderojnë të ardhmen e tyre të marrëdhënieve jo vetëm me biznesin e Shqipërisë, por për të hyrë në gjithë rajonin”. Vendosja e urave të reja të bashkëpunimit mes biznesit çek dhe atij shqiptar, ishte dje në qendër të forumit të biznesit të organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, ku merrte pjesë edhe Presidenti çek, Vaslav Klaus. Gjatë fjalës së tij, kreu i Dhomës së Tregtisë, Gjok Uldedaj, u shpreh se energjetika, turizmi, dhe agro-industria, janë tre fushat ku biznesi çek mund të investojë në Shqipëri. “Energjetika mbetet një nga sektorët kyç të investimit në Shqipëri, pasi kjo është një nga fushat ku do të ketë një reformim të madh. Turizmi është një pikë tjetër e rëndësishme e mundësive reale për investim. Çekia ka pasur një kërkesë të kahershme të saj për të qenë pjesë e investimeve në bregdet. Tashmë për këtë afrohet një mundësi konkrete dhe shumë herë më e lehtë investimi. Bregdeti shqiptar ofron një vijë prej 425 km. Në disa zona turistike, tashmë janë bërë punime infrastrukturore” tha Uldedaj. Sipas tij, një tjetër sektor ku mund të investojnë çekët është dhe industria agro-përpunuese. Sipas tij, janë rreth 3.200 ndërmarrje të mëdha e të mesme që operojnë në sektorin e prodhimit agro-përpunues; ato mundësojnë bashkëpunim, qoftë në planin e përmirësimit të teknologjisë, qoftë edhe për shkëmbime.