Berisha në Prishtinë, Thaçi: Eshtë arkitekti i ndryshimit
ADI SHKEMBI
Shqipëria dhe Kosova janë një komb, por dy vende të ndryshme. Kështu ka deklaruar dje nga Prishtina kryeministri, Sali Berisha, në vizitën e tij të parë zyrtare pas shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt 2008. Në orën 09.30 të mëngjesit kreu i qeverisë shqiptare ka zbritur në aeroportin e Prishtinës ku u prit nga zv.kryeministri Hajredin Kuçi. Në kontaktin e parë me mediat ai deklaroi se vjen në Prishtinë “si në vendin, qytetin që vij me kënaqësinë me të madhe çdo ditë”. Kreu i ekzekutivit u takua me kryeministrin Hashim Thaçi, Presidentin, Fatmir Sejdiu, si dhe mbajti një fjalim në Kuvend.
Takimi me Thaçin
Pas ceremonisë zyrtare kreu i qeverisë u takua me homologun e tij Hashim Thaçi. Në përfundim të takimit u nënshkruan gjashtë marrëveshje bashkëpunimi dhe më pas dy kryeministrat iu përgjigjën interesimit të mediave. Berisha deklaroi se Shqipëria dhe Kosova janë një komb, por dy shtete të ndryshme. “Kombi është një dhe i pandarë në shpirtin dhe identitetin e tij. Nuk mund të bëhet fjalë për dy kombe shqiptare, dy kombe serbe apo dy kombe kroate, etj. Dua të theksoj se Shqipëria dhe Kosova janë dy vende të ndryshme. Është në interesin jetik të çdo shqiptari konsolidimi i pavarësisë së Kosovës, por këto nuk janë vende të huaja për njëri-tjetrin, janë vende vëllezër”, theksoi kreu i qeverisë shqiptare. Ndërsa sipas homologut të tij, Hashim Thaçi “e shoh të ardhmen e rajonit dhe të dy vendeve tona si të ardhmen e vlerave evropiane, integruese dhe natyrisht të standardeve të BE-së: rajon pa kufij”. Kreu i qeverisë kosovare vlerësoi Berishën si arkitektin e ndërtimit të rrugës Durrës- Kukës. “Sot prita dhe Kosova pret arkitektin e ndryshimeve në Shqipëri, kryeministrin Sali Berisha, realizuesin e projektit të ëndrrave të qytetarëve, të shqiptarëve, në ndërtimin e autostradës Durrës – Morinë. Sot, prita edhe jetësuesin e integrimit të Shqipërisë në NATO, kryeministrin Sali Berisha, kontribuuesin e madh për pavarësinë e Kosovës dhe në shenjë mirënjohje dhe respekti, presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu do ta çmojë dhe do ta vlerësojë lartë me çmimin për Pavarësi në mënyrë meritore”. Pjesë e axhendës dyditore të kryeministrit ishte edhe një fjalim përshëndetës përpara deputetëve të Parlamentit të Kosovës. Berisha përforcoi edhe njëherë qëndrimin për mosprekjen e kufijve aktualë në rajon.
Marrëveshjet
• Marrëveshja për lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve dhe Protokolli për qarkullimin në zonat kufitare u nënshkruan nga Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Thaçi;
• Marrëveshja në fushën e doganave u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm i Doganave të Shqipërisë Endri Pema dhe Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Financave të Kosovës Bedri Hamza;
• Marrëveshja e bashkëpunimit policor ndërkufitar u nënshkruar nga ministri i Brendshëm i Shqipërisë Lulzim Basha dhe ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës Zenun Pajaziti;
• Marrëveshja e ripranimit të personave me qëndrim të paligjshëm u nënshkrua nga ministri i Brendshëm i Shqipërisë Lulzim Basha dhe ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës Zenun Pajaziti;
• Marrëveshja e bashkëpunimit të administratave lokale u nënshkrua ministri i Brendshëm i Shqipërisë Lulzim Basha dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal Sadri Ferati.
Berisha merr “Medaljen e artë të lirisë”
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu i dorëzoi dje kryeministrit Berisha “Medaljen e artë të lirisë” me motivacionin “Për kontributin e lartë në mbrojtje të lirisë së Kosovës”. Kreu i ekzekutivit mori gjithashtu edhe titullin nga Universiteti i Prishtinës “Doctor Honoris Causa”. Duke vlerësuar rolin e Universitetit të Prishtinës, Berisha tha se “Liria kombëtare është një dhe e pandarë. Në rast se një pjesë e kombit nuk është e lirë, kombi kurrë s’mund të jetë i lirë. Në këtë universitet, u farkëtuan luftëtarët e mëdhenj të lirisë të kombit shqiptar, burra dhe gra, të cilët do të udhëhiqnin shqiptarët në betejën më legjendare në historinë e tyre, betejën për pavarësinë e Kosovës”. Sipas tij “në këtë përpjekje të madhe universiteti u shndërrua në flakën e pashuar të frymëzimit, të shpresës, të betejës, që shqiptarët të jenë të lirë”.
“Shqipëria udhërrëfyes për Kosovën”
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha në konferencën e përbashkët për shtyp se Shqipëria udhërrëfyese për Kosovën për sa i përket proceseve të integrimit. “Eshtë një privilegj i veçantë për udhëheqësit e institucioneve të vendit që pikërisht, në këtë kohë të zhvillimeve kaq të bujshme, Kryeministri Berisha dhe shteti shqiptar e siguron Kosovën për një mbështetje të fuqishme edhe në procese të reja dhe të rëndësishme që do t’i kapërcejë”, tha Sejdiu. Sipas tij “ka qenë e jashtëzakonshme dhe historike momenti i anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në NATO. Po kështu, janë një fanar i rëndësishëm udhërrëfyes edhe veprimet e shpjeta racionale të ecjes së Republikës së Shqipërisë në proceset integruese”.
Reagon Lavrov
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, se shqiptarët dhe kosovarët janë një komb. Ai e ka interpretuar deklaratën e kryeministrit shqiptar si thirrje për bashkimin e shqiptarëve në rajon. Lavrov ka shprehur shqetësim të fortë për deklaratën e fundit të kryeministrit shqiptar, që sipas tij nënkupton se ka ardhur koha për unifikimin e të gjitha territoreve ku jetojnë shqiptarët. “Ne jemi shumë të alarmuar nga deklarata e kryeministrit shqiptar. Ne jemi të bindur se kjo deklaratë duhet të marrë reagimin e merituar, në radhë të parë nga Bashkimi Evropian dhe NATO”, tha Lavrov