E Diel, 1 Nëntor 2026

Fitojnë studentët pa mesatare

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Merr fund orvatja e maturantëve që nuk regjistroheshin në Universitetin e Vlorës për shkak të mesatares nën 6. Dje, që në orët e para të mëngjesit, turma e studentëve pritën para derës së universitetit derisa sekretaria të niste punën. Rreth orës 09:00, urdhri i Ministrisë së Arsimit u vu në zbatim, duke nisur edhe me regjistrimin e këtyre maturantëve. Ata protestuan disa ditë me radhë pasi senati i Universitetit të Vlorës vendosi që t’i përjashtonte ata nga mundësia për t’u ulur në auditorë për shkak të mesatares. Por këmbëngulja e tyre, deri në protesta e takim me vetë ministrin Tafaj, bëri që ky i fundit t’u jepte të drejtë maturantëve dhe të nxirrte një urdhër për regjistrimin e tyre. Megjithë kontestimet e rektorit Tanush Shaska dhe të stafit akademik, 400 maturantët që nuk kapën dot mesataren e vënë kusht nga ky universitet, dolën fitues duke u regjistruar ditën e djeshme. Radhët për t’u regjistruar kanë qenë të gjata, por sekretaria e Universitetit punoi deri në orën 18:00, orar të cilin e kishte udhëzuar edhe Ministria e Arsimit. Punonjëset e sekretarisë nuk bënë të ditur numrin e saktë të studentëve të regjistruar, pasi jo të gjithë maturantët u paraqitën dje në universitet. Megjithatë, ata do të paraqiten sot nuk do të mund të regjistrohen, nëse MASH nuk nxjerr një udhëzim të dytë. Sipas burimeve në universitetit, ka shumë gjasa që ata që nuk u interesuan dje pranë sekretarisë, ose nuk janë informuar për udhëzimin e ministrisë për t’u regjistruar dje deri në orën 18:00, ose kanë dalë fitues në universitete të tjera, publike apo private. Vetë studentët që arritën të regjistrohen u shprehën mjaft të kënaqur nga vendimi i MASH, por edhe ai i rektoratit të këtij universiteti. “Më në fund na u dha e drejta e regjistrimit për të vijuar studimet e larta, si gjithë të tjerët. Për ne ishte një torturë e vërtetë pritja dhe orvatja për shumë ditë, sidomos për ata studentë dhe familjet e tyre që ishin nga rrethe të largëta të vendit. Por gjithsesi jemi të lumtur që së fundi po regjistrohemi”, u shprehën studentët. Regjistrimi i tyre u kthye në mollë sherri ndërmjet MASH dhe Universitetit për shumë ditë derisa Shaska pranoi që t’iu jepte një shans atyre. Ai e kundërshtoi fillimisht regjistrimin, duke argumentuar mesataren dhe nivelin e ulët të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›