Kosova, Meta takon ministrin serb Jeremiç
Ministri i Jashtëm Ilir Meta takon homologun e tij serb, Vuk Jeremiç. Pavarësisht qëndrimeve diametralisht të kundërta për pavarësinë e Kosovës dhe rolin e saj në rajon, krerët e diplomacive të dy vendeve kanë shfrytëzuar një takim të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Vishegrad të Budapestit për të biseduar për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë. Zyra e shtypit e Ministrisë së Jashtme bën të ditur përmes një deklarate për mediat se takimi u zhvillua me kërkesë të kryediplomatit serb dhe gjatë tij u ra dakord për intensifikimin e bashkëpunimit. “Gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve të Vishegradit në Budapest, dedikuar Ballkanit Perëndimor, zv/kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta zhvilloi një takim dhe një konference për shtyp me Ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremiç, me kërkesën e këtij të fundit. Meta dhe Jeremiç ranë dakord për avancimin dhe konkretizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë dhe si dhe në procesin e integrimit evropian”, thuhet në njoftimin për shtyp. Gjatë këtij takimi ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç ka ftuar homologun e tij shqiptar për një vizitë zyrtare në Beograd, ftesë e cila u pranua nga ana e zv/kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Ilir Meta. Në këtë takim, i cili është i pari pas një kohe të gjatë debatesh në distancë mes dy vendeve, Meta dhe Jeremiç ranë dakord për të plotësuar sa më shpejt kuadrin ligjor të marrëdhënieve dypalëshe si një domosdoshmëri për të zgjeruar më tej bashkëpunimin ekonomik, tregtar dhe në drejtime të tjera. Gjatë bisedimeve Meta dhe Jeremiç vunë theksin te forcimi i paqes në rajon. Por në këtë takim nuk u anashkalua as çështja e Kosovës. “Bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Serbisë u vlerësua nga dy homologët si i një rëndësie të veçantë për forcimin e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon. Lidhur me çështjen e Kosovës, z. Meta u shpreh se, pavarësisht qëndrimeve të ndryshme të së dyja vendeve për këtë çështje, e ardhmja e Kosovës, është një e ardhme e sigurt evropiane si për të gjithë rajonin tonë”, thuhet më tej në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Punëve të Jashtme.