Elbasan, pranga të riut që trafikoi minorenen
Forcat e policisë së Elbasanit kanë mundur të ndalojnë 22-vjeçarin Shpëtim Buzdra, lindur e banues në fshatin Poroçan të Gramshit. Ndalimi i tij u bë në bazë të një urdhri të posaçëm të nxjerrë nga Prokuroria për shkak se ai akuzohet se ka trafikuar në Greqi një minorene. Një fakt të tillë, sipas forcave të policisë, ai e ka kryer në bashkëpunim me Drilon Liçin, i cili është kapur dy ditë më parë nga policia. Ndërsa femra e trafikuar prej tyre mësohet se është 14-vjeçarja me inicialet R. R., lindur dhe banuese në qytetin e Elbasanit.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme mbi veprën penale të “ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit”, e cila parashikohet nga Neni 298 i Kodit Penal.
Durrës, gratë denoncojnë për dhunë bashkëshortët
Tri gra kanë kërkuar ditën e djeshme ndihmën e policisë pasi dhunoheshin sistematikisht nga bashkëshortët e tyre. Burime nga Policia e Durrësit thanë se gjatë ditës së djeshme kanë bërë kallëzim pranë Komisariatit të Policisë së Durrësit tri gra. A. K., 33 vjeçe, banuese në Lagjen Nr. 15 në Durrës, e martuar, me dy fëmijë pretendoi se është dhunuar e keqtrajtuar në mënyrë sistematike nga bashkëshorti i saj, J. K. 39 vjeç. Gjithashtu në polici ka pretenduar edhe 39-vjeçarja, Dh. C., në Lagjen Nr.12 në Durrës, e martuar, me 4 fëmijë, se bashkëshorti i saj, B. C. 43 vjeç, ka ushtruar mbi të, në mënyrë sistematike, dhunë fizikë e psikologjike. Burime nga policia thanë se në të njëjtën ditë u regjistrua edhe kallëzimi i tretë, që i përket 36-vjeçares, D. B., banuese në Lagjen Nr. 14 në Durrës, e martuar, me dy fëmijë, e cila deklaroi se është dhunuar në mënyrë sistematike fizikisht e psikologjikisht nga bashkëshorti i saj, shtetasi I. B., 42 vjeç. Policia plotësoi për të tria rastet kërkesë-paditë për lëshimin e urdhrave të menjëhershëm të mbrojtjes.
8 Janar 2010