E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD-ja heq imunitetin e katërt për gjyqtarët

Mbledhje urgjente me dyert të mbyllura për gjyqtarin nga Vlora Thoma Nika
Laureta Rryçi

Këshilli i Lartë i Drejtësisë hoqi dje imunitetin e katërt për gjyqtarët, duke pranuar kështu sërish kërkesën e Prokurorisë. Sipas njoftimit zyrtar nga ky institucion, mbledhja është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe kryesisht për rastin e heqjes së imunitetit. Po i njëjti njoftim shpjegon se Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në mbledhjen e tij plenare, në drejtimin e zëvendëskryetarit të tij, Kreshnik Spahiu, miratoi kërkesën e organit shqiptar të akuzës, duke dhënë autorizimin për fillim të procedimit penal ndaj gjyqtarit së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, Thoma Nika. Ky vendim i Këshillit, i marrë me unanimitet të anëtarëve të pranishëm, i katërti brenda një harku kohor prej një viti, i hap rrugën kryerjes së hetimeve për rastin në fjalë.
Hetimet
Prokuroria pati dorëzuar kërkesën për heqjen e imunitetit në ditët e fundit të vitit që lamë pas. Për këtë arsye, KLD-ja zhvilloi një mbledhje urgjente duke i dhënë rëndësi primare kësaj kërkese. Hetimi për gjyqtarin Nika do të bëhet nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier, e cila i ka atribuuar gjyqtarit në regjistrin e veprave penale, atë të parashikuar nga Neni 319/a i Kodit Penal “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe i funksionarëve të tjerë të Drejtësisë”. Sipas përcaktimit në ligj, dhënia e autorizimit nga Këshilli passolli edhe pezullimin e menjëhershëm nga detyra të gjyqtarit, deri në përfundim të procedimit ndaj tij. Në axhendën e mbledhjes plenare të Këshillit kanë qenë pjesë e diskutimeve dinamike edhe organizimi i punës mbi analizat vjetore të të gjitha gjykatave, trajnimi vazhdues pranë Shkollës së Magjistraturës, si edhe delegimet e gjyqtarëve sipas procedurës së parashikuar me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Rastet e tjera
Brenda një kohe të shkurtër, KLD-ja ka pranuar të gjitha kërkesat e Prokurorisë për heqjen e imunitetit. Pas kërkesës së Prokurorisë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë i ka hequr imunitetin gjyqtarit të Elbasanit. Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme bënë të ditur se ndaj gjyqtarit Qani Hasa, Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal për veprën penale “korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të Drejtësisë”. Sipas burimeve, Prokuroria, mbi bazën e materialit kallëzues të një shtetasi, kreu të gjitha veprimet e mundshme hetimore në drejtim të fakteve të prezantuara, si dhe identifikimit të personave të përfshirë në të. Hetimet e deritanishme të kryera nga njësia Task-Forcë pranë Prokurorisë së Tiranës nxorën në dritë mbi një veprim korruptiv (marrje e një shume parash) të gjyqtarit Hasa nga familjari i një të pandehuri të arrestuar në këmbim të një dënimi më të butë, në raport me kërkesën e prokurorit të çështjes. Po në ditët e para të dhjetorit të vitit që shkoi KLD-ja i hoqi imunitetin gjyqtares në Gjykatën e Krimeve të Rënda, Marsela Balili. Heqja e imunitetit të gjyqtares Balili erdhi pas shkeljeve të konstatuara nga kontrollet e ushtruara nga Inspektorati i KLD-së në proceset gjyqësore të drejtuara prej saj.

Banda e Durrësit, procesi nisi sërish me shtyrje
Procesi ndaj bandës së Durrësit edhe këtë vit nuk e ka pasur nisjen të mbarë. Seanca e djeshme dështoi për mungesë të një prej avokatëve. Gjatë apelit të palëve që ishin prezente, kolegji penal konstatoi se në sallën e gjyqit nuk ishte paraqitur avokati i të pandehurit Indrit Taullaj, Riza Icka. Për këtë arsye, gjyqtarët u detyruan të shtynin procesin për seancën e ardhshme. Në këtë proces janë disa të pandehur. I penduari i Drejtësisë, Adriatik Coli, gjatë dëshmisë së tij u ka vënë autorë secilës vrasje, të cilat deri tani rezultonin pa autorë. Ngjarjet kanë ndodhur mes periudhës nga viti 1998 e deri para dy vitesh, kur dhe u arrestuan të cilësuarit si anëtarë të bandës. Mësohet se Coli ka përmendur edhe emra personash që nuk janë të pandehur në këtë dosje, të dhëna që për Prokurorinë konsiderohen si të dhëna sekrete që do të ndikojnë në zgjerimin e kësaj dosjeje. Sipas dëshmisë së djeshme rezultoi se i pandehuri Lulzim Berisha dhe shtetasi Kledjan Saliu (aktualisht i vrarë) që nga viti 1997 e në vazhdim kanë krijuar dhe drejtuar një organizatë kriminale në të cilën bënin pjesë të pandehurit Plaurent Dervishaj, Indrit Taullaj, Adriatik Coli, Indrit Dokle dhe shtetasit Ilir Xhunga, Arben Paja, aktualisht të vrarë. Kjo organizatë kriminale, për shkak të veprimtarisë së saj, ka kryer një numër të madh veprash penale.

8 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›