Tenderi, pazaret e ryshfetit 125 mijë euro
Zbardhen përgjimet e operacionit të koduar me emrin “Prokumimi i Fundit që solli arrestimin e disa zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme dhe tre biznesmenëve. Gazeta publikon tablatet e bisedave telefonike mes drejtuesve të zyrës së prokurimeve në ministri dhe sipërmarrësve që fituan në mënyrë abuzive tenderin për veshmbathje dhe mallra të tjerë me fond limit 175.034.194 lekë. Për çështje etike, Albania publikon emrat me iniciale.
Hetimet
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në datën 11.09.2009, ka regjistruar procedimin penal Nr.3204 për veprat penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim, dhe “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” të parashikuara nga nenet 244, 25 dhe 259 të Kodit Penal.
Ky procedim është regjistruar mbi bazën e informacionit të dërguar në prokurori nga ana e Shërbimit Informativ të Shtetit me shkresën Nr.1932, datë 11.09.2009. Nga hetimet e kryera për zbardhjen e rrethanave të këtij procedimi penal ka rezultuar si më poshtë: Në datën 03.08.2009, në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimit Publik është publikuar për njoftim procedura e prokurimit të fondeve publike me objekt “Blerje uniforma, veshmbathje dhe elementë të tjerë përbërës të tyre”, me fond limit 175.034.194 lekë e cila do zhvillohej nga Drejtoria e Përgjithshme e Prokurimeve të Përqendruara pranë Ministrisë së Brendshme. Kjo procedurë prokurimi është ndarë në 14 lote sipas llojeve të uniformave dhe veshmbathjeve që u nevojiteshin institucioneve të ndryshme shtetërore të tilla si Ministria e Mbrojtjes, Garda e Republikës, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Ministria e Brendshme, Kapitaneria e Përgjithshme e Porteve etj. Nga informacioni i dërguar nga Shërbimi Informativ i Shtetit me shkresën Nr.1952, datë 11.09.2009, rezultonte se shtetasit I.S. F.B., Artan Berberi dhe J.Gj. kishin rënë dakord që t’i jepnin një sasi prej 26.000.000 lekësh shtetasit Bujar Murati (drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Prokurimeve të Përqendruara pranë Ministrisë së Brendshme) me qëllim që ai të shpallte fituese të kësaj procedure prokurimi shoqëritë e përfaqësuara prej tyre. Në këto kushte është kërkuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë lejimi i përgjimit të komunikimeve telefonike të shtetasit Bujar Murati dhe disa personave të tjerë që kanë komunikuar me të. Gjykata me disa vendime ka lejuar përgjimin e komunikimeve telefonike si dhe zgjatjen e afatit të përgjimit të këtyre komunikimeve. Nga procesverbalet e transkriptimit të bisedave telefonike të përgjuara ka rezultuar se këta shtetas kanë komunikuar në vazhdimësi me njëri – tjetrin me qëllim favorizimin e disa shoqërive për shpalljen e tyre fituese të loteve të kësaj procedure prokurimi kundrejt përfitimeve të kundërligjshme.
Përgjimet
Në datën 14.09.2009, ora 13:29, shtetasi I.S. është telefonuar nga shtetasi F.B., i cili i thotë se po ikën për në Kosovë dhe se në qoftë se duhen para t’i vërë I. se do ia kthejë ai kur të kthehet. I. i përgjigjet se do i vërë ai. Në datën 14.09.2009, ora 16:03, shtetasi I.S. është telefonuar nga shtetasi Artan Berberi i cili i thotë se është gati për porosinë siç kishin rënë dakord dhe se kur të duhej I. t’i thoshte për t’i dhënë paratë. I.S. i është përgjigjur se nuk kishte problem edhe po të mos i kishte lekët duke nënkuptuar se e zgjidhte ai këtë punë. Në datën 15.09.2009, ora 12:40, shtetasi I.S. është telefonuar nga një shtetas, i cili i thotë se kursi i blerjes së dollarit është ulur shumë dhe se mos I. kishte nevojë për dollarë. I. i thotë se ai është duke pritur nga momenti në moment t’i kërkojë paratë “ai” dhe se nuk e di nëse ai do ia kërkojë në lekë, në euro apo në dollarë. Personi tjetër i thotë të mundohet t’i japë në dollarë. Në datën 16.09.2009, ora 08.43, shtetasi I.S. ka telefonuar përsëri këtë shtetas dhe e porosit të shkojë në bankë t’i bëjë në kartëmonedha 50.000 lekëshe një sasi prej 35 – 40 milion lekësh duke i thënë se ai “shoku” i kërkoi lekë. Më pas, ata kontaktojnë përsëri me njëri – tjetrin në telefon dhe I. i thotë se më mbrapa duhen euro apo dollarë ndërsa kjo është shuma e atyre të vegjëlve.
Pas vetëm 15 minutash I. e merr përsëri personin me emrin Xh. duke i thënë se më mirë t’ia çojë 40.000 dollarë në kartëmonedha 100 – she. Në po këtë datë, në orën 13:06, I.S. ka marrë në telefon shtetasin Bujar Murati dhe i thotë se është në Tiranë. Bujari i përgjigjet se do takohen më vonë rreth orës 4 – 5 pasdite. Në orën 18.07, I.S. ka komunikuar në telefon me shtetasin Bujar Murati dhe janë takuar dhe e kanë lënë për t’u takuar me njëri – tjetrin tek bar “U....” në afërsi të stadiumit “DINAMO”. Nga raport shërbimi mbi vëzhgimin e kryer në datën 16.09.2009, rezulton se në këtë datë, në orën 18:20, shtetasi I.S. i cili mbante me vete një zarf të palosur është takuar me shtetasin Bujar Murati në bar “U....”. Pasi janë ndarë shtetasi I.S. ka shkuar rreth orës 18:45 në rrugën “Myhedin Llagami” në të cilën, përpara një shesh pushimi, ishte e parkuar makina në të cilën po e priste Bujar Murati. Ai është futur brenda dhe, pasi kanë ecur rreth 25 metra, ka dalë nga automjeti ndërsa shtetasi Bujar Murati e ka futur zarfin që i dha I.S. në kroskotin e makinës së tij. ......
Bisedat me Tahir Imamin
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi I.S. ka komunikuar në vazhdimësi me shtetasin Tahir Imami i cili kryen funksionin e specialistit të prokurimeve në Gardën e Republikës.
Kështu në datat 23.10.2009 dhe 26.10.2009 ata kanë komunikuar shpesh me njëri –tjetrin për çështjen e një autorizimi që duhet t’i shkonte Tahir Imamit dhe për të cilin I.S. ishte i interesuar. Tahir Imami ka shkuar dhe ka takuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Zhvillimit të Prokurimeve të Përqendruara një shtetas të quajtur E. për ta pyetur për këtë gjë. Në datën 27.10.2009 ata janë takuar me njëri – tjetrin dhe me shtetasin G.C. Po kështu, gjatë një bisede që I.S. bën me Redi Popescun në datën 27.10.2009, ora 19:47, I. i thotë se do shkonte Tahir Imami me një shtetas të quajtur T. i cili do i ndihmonte. Redi e këshillon të mos japë asnjë lek paradhënie por t’i japë lekët vetëm në fund, kur të mbarojë puna. Në datën 27.10.2009, ora 1005.23, shtetasi Tahir Imami i ka dërguar një sms I.S. ku i uron t’i ketë zgjidhur problemet dhe e pyet nëse do takohen atë ditë apo jo. Në orën 1100.20, I.S. flet me një shtetase të cilës i thotë se po shkon në Tiranë se duhet të çojë lekët te ai burri. Në orën 13:43, I.S. merr në telefon Tahir Imamin dhe i thotë se po hynte në Tiranë duke e pyetur se ku do takoheshin. Në orën 13:45, shtetasi I.S. ka qëndruar përballë godinës së gazetës ”Zëri i popullit”, ka hapur bagazhin e makinës dhe ka nxjerrë prej aty një thes të zi të cilin e ka futur në një çantë plastike të bardhë me fjongo të kuqe. Pas rreth 10 minutash aty ka shkuar shtetasi Tahir Imami i veshur me uniformën e Gardës së Republikës dhe I. i ka dhënë çantën të cilën Tahiri e ka futur në sediljen e pasme të automjetit të tij. Pasi kanë biseduar për rreth 5 minuta ata janë ndarë dhe Tahiri ka shkuar në një pallat mbrapa godinës së gazetës ”Zëri i popullit” dhe hyri në një hyrje aty. Pas rreth 10 minutash Tahiri del nga hyrja me të njëjtën çantë e cila ishte me më pak volum e mbushur dhe ka shkuar, më pas, në ambientet e brendshme të Repartit Ushtarak të Gardës së Republikës Nga veprimet hetimore ka rezultuar se Agjencia e Prokurimit Publik, ka vendosur anulimin e procedurës me objekt “Blerje uniforma, veshmbathje dhe elementë të tjerë përbërës të tyre”, me fond limit 175.034.194 lekë të zhvilluar nga Drejtoria e Përgjithshme e Prokurimeve të Përqendruara pranë Ministrisë së Brendshme. Me një vendim voluminoz, APP – ja ka shpjeguar të gjitha shkeljet dhe kualifikimet e padrejta dhe në kundërshtim me ligjin të operatorëve ekonomikë në këtë procedurë prokurimi për shkak të të cilave është vendosur anulimi i kësaj procedure prokurimi. Në të gjitha lotet e kësaj procedure prokurimi janë konstatuar shkelje që kanë të bëjnë me kualifikimin në kundërshtim me legjislacionin për prokurimet publike të shoqërive të ndryshme, mosrespektimin e kushteve dhe kritereve të përcaktuara në Dokumentet Standardë të Tenderit etj. Po kështu, shtetasi E. F., gjatë deklarimeve të dhëna në cilësinë e personit që ka dijeni mbi rrethanat e hetimit në datën 10.12.2009, ka pohuar se ai ka biseduar në datën 24.09.2009 me shtetasin Artan Berberi. Kjo bisedë është zhvilluar midis tyre për shkak se një shoku i E. i ka thënë atij se Artan Berberi i kishte pohuar se E. nuk ishte aq burrë i mirë pasi i kishte kërkuar 10% të vlerës së tenderit si bakshish për ta shpallur fitues në një tender që Artani e meritonte të fitonte.
E. pohoi se Artan Berberi i kishte thënë se për një lot që ai pretendonte ta fitonte kishte rënë dakord të paguante 5% të vlerës së këtij loti dhe se ndërmjetësi i kishte kërkuar 10% por Artani nuk kishte pranuar. Po kështu, Artani i kishte thënë se ishte bërë pazar midis operatorëve ekonomikë për ndarjen e loteve midis tyre dhe se njëri nga operatorët kishte marrë përsipër që ata të fitonin lotet sipas ndarjes që kishin bërë me njëri – tjetrin. Secili nga ata kishte ndarë nga një pjesë për të paguar për lotet që do fitonin dhe se i pari nga ofertuesit që do marrë pjesën më të madhe do paguante 50% ndërsa gjithë të tjerët që do fitonin lote më të vogla do paguanin 50% që ngelej. Po kështu, Artan Berberi i kishte thënë se Bujar Murati do merrte 150.000.000 lekë prej tyre. E. pohoi gjithashtu se e ka takuar më pas Artan Berberin i cili i ka thënë se ndërmjetësi ishte I.S. dhe se ata ia kishin dhënë paratë Bujar Muratit dhe se në rast se nuk do shpalleshin fitues do ia merrnin mbrapsht ato. Gjithashtu, shtetasi E. F. ka dorëzuar një CD në të cilën ishte hedhur një përgjim që ai e kishte bërë me iniciativën e vet të bisedës që ai ka zhvilluar me shtetasin Artan Berberi.
8 Janar 2010