Elbasan, pranga tre shpërndarësve të kokainës
Policia arrestoi Ardian Toskën, Erald Drazhin dhe Fisnik Kamamin. Në makinë iu gjet 100 gram kokainë
Sipas policisë, droga e shtrenjtë kishte destinacion klientët brenda qytetit dhe vinte nga Tirana
ELBASAN- Tre persona janë ndaluar nga policia në flagrancë, pasi në automjetin me të cilin udhëtonin iu gjet 100 gramë kokainë. Operacioni i policisë është realizuar në një kontroll të befasishëm, të zhvilluar në hyrje të qytetit të Elbasanit, në automjetin tip benz me targa EL 34 36 B. "Në flagrancë u arrestuan shtetasit Ardian Toska, 34-vjeç; Erald Drazhi, 19-vjeç dhe Fisnik Kamami 35 vjeç. Mbi ta rëndon akuza e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike",- thanë dje burimet policore. Ndalimi dhe bllokimi i kokainës u bë i mundur pas informacioneve të grumbulluara në rrugë operative nga ana e policisë. Kokaina e gjetur në makinë ka rezultuar e pastër, e paketuar në një qese dhe e fshehur në kruskotin e automjetit. Të dhënat e para tregojnë se ajo ka mbërritur nga Tirana me destinacion brenda qytetit, ndërkohë që shpërndarësit e bënin këtë punë prek kohësh.
***
Tre të rinjtë me banim në Cërrik dyshohet se transportonin drogën e shtrenjtë drejt klientëve të tyre në qytetin e Elbasanit. Sasia e vogël, e gjetur në automjetin me të cilin tre të ndaluarit po lëviznin, ka bërë që policia të kontrollojë edhe banesat e respektive të tyre. Nga kontrolli, mësohet se nuk është gjetur tjetër lëndë narkotike. Nga ana e sektorit të luftës kundër drogës kanë nisur hetimet për zbardhjen e prejardhjes së drogës si dhe formën sesi ajo shpërndahej. Mësohet se tre të arrestuarit kanë bashkëpunuar për të siguruar shpërndarjen e lëndës narkotike. Ata akuzohen për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Sipas të dhënave policore, droga e llojit kokainë haset shumë rrallë dhe kjo sasi e kapur është e para dy vitet e fundit. Kjo lloj droge konsiderohet si droga e të pasurve, për shkak të çmimit të shtrenjtë që ka.
***
Agjentë të antikrimit ishin vënë prej kohësh në lëvizje, pasi ishin infiltruar edhe ndër përdoruesit e kësaj droge të fuqishme. Mësohet se agjentët kanë bërë një punë disamujore deri në kapjen e tyre "mat", pasi të arrestuarit mbanin vetëm shumë pak lëndë narkotike me vete, për t'i shpëtuar survejimit të policisë. "Droga e sekuestruar ishte për shpërndarje brenda qytetit"- thonë burime policore, sipas të cilëve, nga marrja në pyetje e tre të arrestuarve nuk është përcaktuar ende prejardhja e kësaj droge. Sipas të dhënave të grumbulluara nga policia ajo është blerë në kryeqytet me shumicë për t'u ndarë në doza dhe për të përfunduar në tregun vendas.Agjentët e antidrogës kanë pasur informacione të sakta për mbërritjen e një sasie kokaine që do të shpërndahej në disa klientë të kësaj droge të fuqishme.
***
Tre të rinjtë nga Cërriku kishin kohë që kryenin rolin e shpërndarësit, por vetëm mëngjesin e djeshëm nuk kanë mundur t'i shpëtojnë kontrollit të befasishëm në automjetin e tyre. Drejtori i Policisë së Elbasanit, Arben Hyseni e cilëson këtë operacion të suksesshëm edhe pse sasia e kapur nuk është aq e madhe. Duke qenë kokainë, droga e sekuestruar ka vlerë më të madhe në treg dhe qarkullon rrallë sidomos në zona me një ekonomi jo shumë të zhvilluar si Elbasani. Hyseni tha se policia do të vazhdojë luftën kundër drogës edhe me metoda të specializuara hetimi dhe verifikimi. Sasia e drogës është dërguar në laboratorin qendror për ekzaminim dhe do të përdoret ndaj tre të pandehurve në gjykatë kur të përballen me masën e sigurisë.