E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peshkaqenë dhe breshkë mesdhetare në Durrës

 
Në rrjetat e peshkatarëve përfunduan dje peshkaqenë tigër dhe një breshkë mesdhetare
Durrës- Ka përfunduar në rrjetat e peshkatarëve durrsakë një tufë peshkaqenësh të llojit tigër dhe një breshkë mesdhetare, në trupin e së cilës është gjetur shenja e një instituti të kërkimeve shkencore në Spanjë. Kafshët e rralla detare për brigjet e bregdetit të Durrësit janë kapur në rrjetat e peshkarexhës "Panajot Papa", rreth 3 milje larg bregdetit të Bishtpallës në Durrës. Peshkatarët janë befasuar kur në vend të peshkut të zakonshëm në rrjeta kanë rënë një tufë peshkaqenësh të vegjël, mes të cilëve dhe një peshkaqen i madh rreth 250 kg, i llojit tigër. Në kohën që kanë zbrazur rrjetën, në fundin e saj ata kanë zbuluar dhe një breshkë mesdhetare. Me të mbërritur në portin e Durrësit, pasi janë ekspozuar në blicin e aparateve fotografikë, breshka e gjallë është lënë e lirë. Sipas peshkatarëve është një ligj i detit, sipas të cilit është gjynah që të vrasësh një breshkë, pasi mund të ndodhin fatkeqësi. Në kuadër të kësaj bestytnie, breshka është lënë e lirë duke u hedhur në det, ndërkohë që peshkaqenët janë dërguar në treg. Ata janë blerë kryesisht nga pronarët e lokaleve të bregdetit, të cilët kanë pasur një menu interesante përklientët në fundjavë. Mishi i peshkaqenit i nënshtrohet një gatimi special për faktin se përmban shumë amoniak dhe mund të gatuhet vetëm nga kuzhinierë që e njohin këtë lloj gatimi. Nga ana tjetër, sipas biologëve, afrimi i kafshëve të tilla detare në brigjet tona lidhet kryesisht me ngrohjen globale të ujërave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›