Elbasan, projekti i masakrës mjedisore
Autoritetet e pushtetit vendor në Elbasan janë të vendosur ta zgjidhin problemin e depozitimit të mbeturinave urbane të qytetit, i cili është një plagë e madhe për banorët e qytetit. Kryetari i bashkisë së qytetit, Qazim Sejdini, qëkur mori detyrën, tha para bashkëqytetarëve të tij se edhe sikur gjatë mandatit të tij, të arrinte të zgjidhte vetëm këtë problem, dhe të mos shtronte asnjë pëllëmbë rrugë, sërish ai do të jetë i lumtur se i ka bërë qytetit të tij një shërbim të madh.
Sejdini thotë se ka kryer tashmë një studim për ndërtimin e një impianti riciklimi dhe përpunimi të mbetjeve urbane në ish-zonën industriale të Kombinatit Metalurgjik. Një vendgrumbullim i ndërtuar nga inxhinierët kinezë për depozitimin e mbetjeve industriale metalurgjike është bosh dhe sipas ekspertëve aty mund të depozitohen mbetje urbane për rreth 40 vjet. Ndërkohë që projekti, sipas bashkisë parashikon jo thjesht grumbullimin, por riciklimin e mbeturinave dhe përfitimin e energjisë elektrike nga ky proces, mjaftueshëm për furnizimin e impiantit dhe dy fshatrave më të afërt me të. Deri këtu duket se çdo gjë është mirë dhe premtimi i kryebashkiakut do të mbahet. Por projektit i ka dalë përpara një tjetër problem, ose më saktë një funksionar lokal, siç është kryetari i qarkut, Ardian Turku, ish-kryetar i bashkisë së qytetit, që e kundërshton projektin e bashkisë. Qarku kërkon që në vend të një impianti përpunimi dhe riciklimi, me kosto jo shumë të madhe, të ndërtojë thjesht një vendgrumbullim mbeturinash dhe për këtë ka drejtuar gishtin në mënyrë absurde te një liqen.
Ajo që shikohet në këtë fotografi është pjesë e një liqeni artificial, i ndërtuar në vitet ‘80 nga qeveria, për llogari të Kombinatit Metalurgjik, në Komunën Papër. Në një distancë prej rreth 20 kilometrash nga qyteti i Elbasanit, inxhinierët shqiptarë e kinezë projektuan dhe ndërtuan asokohe një digë me përmasat e një dige hidrocentrali dhe për disa vite aty u depozituan mbeturinat karbonike dhe kimikate të tjera që buronin nga Uzina e Çelikut të Metalurgjisë. Sot kjo vepër është një ujëmbledhës gjigant dhe pranë tij nuk ka mbetur asnjë gjurmë industriale dhe për ta shndërruar atë në vendgrumbullim modern mbeturinash duhet të investohen më shumë nga çfarë investoi qeveria kineze 30 vjet më parë. Përreth liqenit gjallon sot bota e egër e shpendëve dhe kafshëve, ndërsa liqeni është bërë burimi i jetës për mijëra banorë, që e përdorin atë për vaditje. Ujërat dhe prurjet aluvionale, në vite, varrosën në bazamentin e liqenit derdhjet industriale dhe nga një varr i gjallesave dikur, tashmë liqeni është i populluar edhe nga peshku.
Zyrtarët në Qarkun e Elbasanit nuk e kanë parë këtë liqen, por kanë parë hartën e zonës industriale të komunizmit, ku kjo zonë figuron si një liqen mbeturinash. Ne shkuam atje dhe e pamë këtë vepër, e ndërtuar për varrezë kimikatesh dhe e shndërruar tashmë në liqen plot jetë e kontribut për jetën e njerëzve. Përpjekjet e Qarkut të Elbasanit dhe mbështetja financiare që ai kërkon nga qeveria për të depozituar mbeturinat në një liqen, do të shpëtojnë vërtet qytetin e Elbasanit nga smogu kanceroz, por do të hapin një tjetër varr ekologjik. Ujërat e këtij liqeni derdhen pas 2 kilometrash në lumin Shkumbin. 25 vjet më parë, kur regjimi komunist shkarkoi aty mbetjet kimike, Shkumbini u shndërrua në varr dhe asnjë gjallesë nuk jetoi më në ujë, nga Komuna Papër deri në grykëderdhjen e lumit në detin Adriatik. Derdhja e mbeturinave urbane në këtë liqen, jo vetëm që do ta bëjë të pabanueshme zonën ku shtrihet liqeni, por shkarkimet e ujërave të kontaminuara do të ndotin tërë rrjedhën e Shkumbinit, duke rikthyer kohët e egra të komunizmit, kur mjedisi ishte një "artikull" që nuk merrej kurrë në konsideratë.
Drejtuesit e Komunës Papër e kanë kundërshtuar projektin dhe kanë kujtuar se ajo ka qenë dhe është zona më e goditur nga ndotja që buron nga uzinat e metalurgjikut. Kryetari i saj, Shefqet Bullari, thotë se me një popullsi prej 9 mijë banorësh, ajo ka numrin më të madh për frymë të fëmijëve të lindur me probleme, që sipas tij kanë shkak pikërisht ndotjen. Zbatimi i projektit të kryetarit të qarkut, pikërisht në zonën që njihet si mushkëria e kësaj krahine, do ta ndëshkonte më tej popullsinë e kësaj zone.
Më shumë se një zgjidhje më e mirë për ndërtimin e vendgrumbullimit, ky liqen shikohet si mundësi interesash financiare. Dhe tashmë i përket qeverisë të vendosë nëse do të mbështesë interesat e të emëruarve të saj në Elbasan, apo projektet që mbyllin një varr dhe nuk hapin të tjerë.