E Diel, 1 Nëntor 2026

Fullani, bankave: Kujdes me krizën!

Viti 2009 do të jetë ndër të më vështirët sa i takon zhvillimit ekonomik të vendit, në një kohë kur efektet e para negative kanë mbërritur te disa shtete pranë Shqipërisë. Çdo gjë vërtitet te paraja, vlera e saj dhe te pikëpyetjet që ngrenë ekspertët vendas të ekonomisë. Pikëpyetje ngre edhe Banka e Shqipërisë, e cila edhe pse është e specializuar të parashikojë efektet që mund të vijnë nga kriza ekonomike, nuk po mundet të thotë prerazi se çfarë do të ndodhë në 2009. Efektet e para duken te dërgesat e emigrantëve dhe te niveli i eksporteve, ndërsa pritet një rënie e investimeve të huaja. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, zhvilloi parmbrëmë një takim me krerët e bankave në vend, ku temë diskutimi ishte e ardhmja e vendit dhe roli që duhet të luajë sistemi financiar. Takimi është zhvilluar nga Shoqata Shqiptare e Bankave, duke marrë shkas edhe nga fundi i vitit, ndërsa i riu po vjen me mjaft pasiguri. Deri tani, sipas Fullanit, sistemi bankar ka treguar një rezistencë të admirueshme, por nuk ka harruar t‘u kërkojë krerëve të bankave më shumë kujdes gjatë vitit tjetër. Gjatë fjalës, Fullani tha se shumë shpejt do të merren masa për forcimin e sistemit ku njëra lidhet me kthimin e fitimit në kapital. Pra, së shpejti bankave do t‘u kërkohet me rregullore që një pjesë e fitimit të investohet dhe të vendoset në gjendje likuide për çdo operacion të mundshëm. "Njësoj si shumica e ekonomive të ndryshme të botës edhe vendi ynë gjendet përpara një viti me shumë të panjohura. Parashikimet e agjencive të ndryshme parashikojnë një vit me kontraktim të prodhimit të përgjithshëm botëror. Do të ishte shprehje e mungesës së kujdesit, nëse do të mendonim se ekonomia jonë do të preket shumë pak apo aspak nga kriza globale. Vendi ynë, megjithëse një ekonomi e vogël është e hapur me lidhje të shumta shkëmbimesh të mallrave dhe fondeve financiare", tha kreu i BSH-së gjatë takimit me Shoqatën e Bankave. Pak kohë më parë, Fullani deklaroi se të gjitha institucionet duhet të përgatiten për ditë më të vështira dhe në këtë kontekst, ai rithekson marrjen e disa masave. "Një tkurrje e kredisë për ekonominë, mbart rrezikun e veprimit të anasjelltë, të eklipsimit të kontributit të kredisë për ekonominë nga shpenzimet e sektorit publik", tha Fullani. Ai kërkoi nga bankat që të ruajnë ritmet e kreditimit të ekonomisë. Një tjetër kërkesë lidhet me forcimin e rregullave gjatë aplikimit të kredisë, në një kohë që BSH do të jetë prezente në tregun e parasë për të ndihmuar sistemin. Sipas Fullanit, për aq kohë sa bankat janë licencuar në Shqipëri, ata do të jenë përgjegjëse për kursimet e shqiptarëve, ndërsa një pjesë e fitimit të tyre duhet patjetër të kapitalizohet. "E kam përmendur vazhdimisht se sistemi ynë është i mirëkapitalizuar, por megjithatë, në kushtet aktuale, e gjykoj si masë kujdesi rritjen e mëtejshme të tij" u tha Fullani Shoqatës së Bankave.

Në fund të fjalës, Fullani iu rikthye edhe një herë qëndrimit ndaj parashikimeve jo të qarta që mund të prekin vendin më 2009-ën. "Viti 2009 do të jetë një vit i vështirë e për rrjedhim, çdokush duhet të marrë masat për të kuptuar drejt dhe për të interpretuar me profesionalizëm rolin e tij. Sistemi bankar duhet medoemos të përsosë më tej infrastrukturën e tij. Baza të shëndosha të kësaj infrastrukture do të vlerësoja përmirësimin e shërbimit ndaj klientelës, shtimin e komunikimit dhe edukimit të publikut. Të gjitha këto, të shoqëruara me investime në teknologji do të mundësonin transparencë më të madhe me klientelën dhe kosto më konkurruese shërbimi. Kjo do të rriste besimin e publikut ndaj sistemit bankar", përfundoi guvernatori qëndrimin e tij ndaj sistemit bankar.

2 mijë lekë

Banka e Shqipërisë, duke filluar që nga fundi i këtij viti, do të hedhë në qarkullim kartëmonedhën e re me vlerë nominale 2000 lekë. Prerja e re plotëson një boshllëk të madh midis dy prerjeve ekzistuese, 5 mijë dhe 1 mijë lekëshit



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›