E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria, verifikim Kristos për bigami

Kodi i Familjes në Shqipëri ndalon martesat e njerëzve me më shumë se një partner, Kristo dyshohet se ka lidhje martesore me dy gra


Reagon avokati: Kodi Penal, në vendin tonë nuk parashikon ndëshkim penal në raste të tilla


TIRANË- Institucioni i akuzës i është drejtuar zyrës së Gjendjes Civile në Shkozet të Durrësit, duke i kërkuar verifikimin e gjendjes civile të të dyshuarit për "akte terroriste" Artan Kristo, i njohur ndryshe edhe me emrin fetar Muhamed Abdulla Al Albani, pasi rezulton se ka dy gra.


Kjo në bazë të relacioneve të dërguara nga SHISH-i në Prokurorinë e Tiranës, referuar edhe në vendimin e arrestit të Gjykatës së Tiranës marrë në mungesë ndaj të akuzuarit Artan Kristo.


Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare pranë Prokurorisë së Durrësit, institucioni i cili tashmë ka marrë në hetim dosjen penale në ngarkim të Kristos, i arrestuar një javë më parë nga Policia e Tiranës me urdhër të Prokurorisë së Rrethit.


Sipas këtyre burimeve, konfirmohet se në bazë të informacioneve të siguruara nga agjentët e Shërbimit Informativ Shqiptar, rezulton se i arrestuari Kristo jeton me dy gra në banesën e tij në Shkozet të Durrësit. Në Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë, është e ndaluar martesa me më shumë se një partner.


Për të vërtetuar këtë fakt, mësohet se prokuroria, i është drejtuar zyrës së Gjendjes Civile të njësisë administrative ku banon i arrestuari, me qëllim për të verifikuar statusin e tij familjar. "Nga të dhënat hetimore që ndodhen të administruara në dosjen përkatëse rezulton se i dyshuari Artan Kristo jeton me dy gra dhe si fryt i lidhjes me to ka sjellë në jetë gjashtë fëmijë.


Me gruan e parë me të cilën ka edhe kurorë martese, Kristo ka katër fëmijë, ndërsa me gruan e dytë nuk ka vendosur celebrim por vetëm bashkëjeton me dëshirën e kësaj të fundit dhe me të ka dy fëmijë,- thuhet në materialet shkresore të dosjes. Këtë fakt e ka pohuar edhe avokati mbrojtës i të pandehurit, Ilir Malindi.


Ai tha dje për "Shekullin": Klienti im është i martuar vetëm me një grua ndërsa me tjetrën bashkëjeton me dëshirën e saj. Në këtë rast nuk kemi asnjë vepër penale, pasi kjo nuk është e parashikuar në Kodin Penal.


Kjo gjë është e rregulluar me Kodin Familjes, që ndodhet në fuqi",- tha avokati Malindi. Më tej ai deklaroi se organet hetimore duan të gjejnë patjetër një akuzë që ta mbajnë në burg klientin tim". Ndërkohë, në nenin 7 dhe 9 të Kodit të Familjes sanksionohet ndalimi për t'u martuar me më shumë se një grua apo burrë.


Gjithashtu, po dje hetuesit e dosjes kanë konfirmuar se po vëzhgohen për 24 orë të tre faqet e internetit, ëëë.albselefet.net; ëëë.udhëzimedhedrita.net e ëëë.forum-islamik.com. Në këtë forumin e fundit, sipas hetuesve, ndodhen edhe disa zëra audio në formë kënge (ilahi) që mbështesin veprimet e Osama Bin-Ladenit dhe ftojnë lexuesit (vëllezërit myslimanë) që të bashkohen në luftën e tij.


Sipas këtyre burimeve, i arrestuari Kristo ka përdorur po këto tre faqet e internetit për të bashkuar një grup të rinjsh, të cilët përkrahin dhe bëjnë thirrje për luftë në emër të Xhihadit.


"Xhihadi është lufta e shenjtë dhe është obligim dhe detyrim për çdo mysliman jo vetëm të vritet, por edhe të vrasim qafirët që janë bërë pengesë e vendosjes së shtetit islam, urojmë që kjo ditë të vijë shumë shpejt",-thuhet ndër të tjera në dosjen hetimore.


2 gra ka sipas Prokurorisë Artan Kristo në jetën e tij familjare me të cilat jeton. Me njërën prej tyre ai ka lidhje zyrtare dhe ka vënë kurorë, ndërsa me gruan e dytë ai bashkëjeton, por nuk ka martesë në gjendjen civile pasi kjo ndalohet nga Kodi i Familjes

6 fëmijë ka Artan Kristo, nga dy lidhjet e tij. Katër nga fëmijët e Kristos kanë lindur nga lidhja e tij me gruan me të cilën ka vënë kurorë sipas ligjeve. Me gruan me të cilën ai bashkëjeton, që është referuar në vendimin e gjykatës Kristo ka 2 fëmijë.


Tetë ditë më parë, policia e Tiranës, nëpërmjet zyrës së Antiterrorit ekzekutoi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për arrestimin e tij me akuzën e nxitjes për kryerjen e veprave dhe akteve terroriste në bazë të kërkesës së Prokurorisë së Rrethit.


SHKODËR
Myslimanët reagojnë për mesazhet e Kristos

"Nuk ka asgjë të përbashkët në mes Islamit dhe nxitjes për kryerjen e veprave terroriste". Ka qenë ky komenti i thirrësit në Islam, Muhamed Sytari, në lidhje me disa video të publikuara në disa faqe interneti që përmbajnë pamje nga sulmet terroriste ndaj vendeve perëndimore.


Sytari ka vijuar duke theksuar se është detyra e institucioneve përkatëse që të japin verdiktin në lidhje me zbulimin e ideatorëve të këtyre thirrjeve. Deklarimet e tij Sytari i ka dhënë në një reagim për mediat, ku ka mohuar sipas tij lidhjet e mundshme mes ekstremistëve dhe Islamit shqiptar.


Thirrësi Muhamed Sytari ka komentuar edhe lëshimin e urdhrit për arrestimin e një teologu nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, por edhe mbi faktin se a ekziston radikalizim i Islamit në Shqipëri.


Mes dhjetëra faqeve islame shqip të internetit dallon njërën prej tyre, e cila është e krahasueshme për nga përmbajtja vetëm me faqet elektronike të organizatave terroriste më të mëdha në botë, e cila bën thirje për luftë të shenjtë, ndërkohë që përfaqësuesit e myslimanëve në Shqipëri hedhin poshtë faktin se në vendin tonë gjenden persona të cilët mund të bëjnë thirrje për luftë apo nxitje për terror, pasi Shqipëria shquhet për bashkëjetesën ndërfetare.

Kristo në forume:
Ta ndihmojmë islamin me Xhihadin me fjalë e bomba

TIRANË- Nga hetimi i çështje, ka rezultuar se "imami" Artan Kristo në përmbledhjen e deklaratave të tij për luftën e Xhihadit është shprehur: "...ka pasur, ka dhe do të ketë Xhihad, i cili është obligim dhe detyrim për çdo mysliman, deri ditën e gjykimit të tij....;...në Xhihad shkohet për të luftuar e për të vrarë qafirët, që janë bërë pengesë për vendosjen e shtetit islam, drejtësisë, pra, duhet të kesh me ç'farë të vrasësh.... ;...normalisht ne pranojmë edhe të vritemi sepse Xhihadi është luftë e shenjtë dhe obligim për myslimanin, por, jo vetëm të vritemi por, edhe të vrasim...;....ne jemi pro Xhihadit, lutemi që të vijë ajo ditë që të na mundësohet ta ndihmojmë islamin, ta bëjmë Xhihadin me anë të fjalës, forcës së krahut, bombës,...por duhet të përgatitemi sa më shumë që të kemi mundësi kur të vijë koha, që ishalla vjen shumë shpejt....."-thuhet ndër të tjera në citimet e përzgjedhur nga organi i akuzës.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›