Elbasan, qindra besimtarë në festën e Shijonit
ELBASAN – Me qindra besimtarë si dhe banorë të Komunës Bradashesh kanë festuar 4 qershorin, datë e shpallur nga Këshilli i Komunës në vitin 2007 si festë zyrtare për banorët. E quajtur Dita e Mirëkuptimit dhe e Harmonisë, besimtarë të feve të ndryshme jo vetëm Elbasani dhe rrethinat e tij, por edhe nga qytete të tjera të vendit kanë marrë pjesë në pelegrinazhin e organizuar në Manastirin e Shën Joan Vladimirit, i cili ndodhet në fshatin Shijon të Komunës Bradashesh. Në këtë festë të komunës, e kthyer tashmë në traditë ka marrë pjesë edhe Presidentja e Fondacionit të Fëmijëve Shqiptarë, zonja Liri Berisha, nënkryetari i Parlamentit Ardian Turku, deputeti i PD-së, Luçiano Boçi si edhe përfaqësues të pushtetit vendor. Në kishën e Shën Joan Vladimirit besimtarët kanë ndezur qirinj, si dhe kanë marrë pjesë në meshën e mbajtur nga episkop At Nikolla, i cili më pas ka pritur në një koktejl përfaqësuesit e pushtetit lokal, si edhe zonjën Berisha. Me vendim të Këshillit të Komunës Bradashesh, zonja Liri Berisha është vlerësuar me titullin “Nderi i Komunës”, me motivacionin “Për kontributin e dhënë në mirësinë, humanizmin e treguar gjatë të gjitha viteve të punës së saj në shërbim të njerëzve dhe fëmijëve në veçanti”. Gjithashtu komuna Bradashesh i ka dhuruar fondacionit “Fëmijët Shqiptarë” 10 mijë euro, për t’i ardhur sadopak në ndihmë këtij fondacioni. Nga ana e saj Zonja Liri Berisha ka deklaruar se është një kënaqësi që merr pjesë në këtë ditë të shenjtë në Komunë. a.k