Tiranë-Elbasan, BEI: Do financojmë 50 % të rrugës
nertila maho
Gjysma e kostos së ndërtimit të rrugës Tiranë-Elbasan do të financohet nga Banka Europiane e Investimeve. Numri dy i kësaj Banke, zëvendëspresidenti Dario Scannapieco, dje gjatë takimit me Kryeministrin Sali Berisha garantoi mbështetje financiare për disa nga projektet e rëndësishme të Qeverisë. Nga ana tjetër, kreu i ekzekutivit vlerësoi kontributin dhe mbështetjen e deritanishme të këtij institucioni financiar për vendin tonë. Takimi Berisha-Scannapieco vjen në kuadër të vizitës së misionit të BEI në Shqipëri, për nënshkrimin e marrëveshjes prej 50 milionë euro për financimin e projektit të rrugëve dytësore. Zëvendëspresidenti i Bankës Europiane të Investimeve, gjatë diskutimit me kreun e Qeverisë, shpalosi perspektivën e bashkëpunimit mes dy palëve, e cila do të prekë disa nga projektet më të rëndësishme, si ai i by pasit të Fierit, projektit të mbështetjes dhe financimit të SME, të vazhdimit të financimit të projekteve në infrastrukturën ujore dhe energjetike. Ndërsa sa i përket rrugës Tiranë-Elbasan, një nga më të rëndësishmet e Qeverisë pritet që shumë shpejt në vendin tonë të mbërrijë një grup teknik i BEI, i cili do të zhvillojë edhe bisedimet për financimin. Dario Scannpieco vuri në dukje faktin që Tiranë – Elbasan është projekti i parë, i cili do të realizohet në kuadrin e programit të “Instrumentit të Financimit të Ballkanit Perëndimor”. Kurse Kryeministri Berisha, rëndësinë dhe vlerësimin për rrugën Tiranë – Elbasan, e mbështeti tek argumentet e të qenit një segment i rëndësishëm i zhvillimit të korridorit të tetë dhe pjesë e rëndësishme e boshtit të jugut.
METE, tani me strukturë të re
Struktura e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka ndryshuar. Kjo nismë e propozuar nga kreu i kësaj ministrie, Dritan Prifti, tashmë ka marrë “ok” duke hyrë në fuqi në kuadër të zbatimit dhe aplikimit sa më efikas të reformave që po ndërmerren nga METE. Ministri Prifti, për të prezantuar ndryshimet e reja zhvilloi dje një takim me anëtarët e kabinetit, drejtorët e përgjithshëm dhe përgjegjësit e sektorit në ministri. Me miratimin dhe hyrjen në fuqi të strukturës së re, synohet që t’i kushtohet një vëmendje e veçantë reformave në sektorë të ndryshëm, si në sektorin energjetik, atë minerar apo zhvillimit të biznesit të gjithë prioriteteve të ministrisë. Lajmërimi për ndryshime thelbësore në strukturë është njoftuar prej kohësh nga kreu Dritan Prifti, që me ardhjen e tij në krye të METE.