Furtuna e Ndërtimorëve prek Sarandën, prishje në qytet
SARANDE/ SHPRESA DINE
Furtuna e Ndërtimorëve prek dhe qytetin e Sarandës. Në kuadër të operacionit “Pastrimi i Rivierës 2010” u shembën dje ndërtime pa leje në lagje të qytetit që pengonin veprat publike. Të tjerë objekte janë rrëzuar në zonën e Manastirit, rreth 1 km larg Ksamilit, ku ditët e shkuara u prishën mbi 200 godina. Ndërhyrjet e fadromave kanë nisur në një objekt të klasifikuar pa leje, në zonën e njohur si “Rrapi i Sarandës”. Në këtë rast, kreu i operacionit, Gjergj Bojaxhi tha se, përveç paligjshmërisë, prishja e tij ishte domosdoshmëri, pasi nën këtë objekt ndodhej edhe tubi i ujësjellësit të qytetit. Sipas tij, ndërtesa ishte bërë pengesë për zbatimin e projektit të rrugës hyrëse, për trotuarin e saj. Më tej mjeti i rëndë është zhvendosur tek rrethimi i një banese dhe servisit “Bebi”, edhe pse pronari i tyre ka kërkuar llogari për cenimin e pronës, pa asnjë njoftim dhe në kundërshtim me dokumentacionin. Edhe në këtë rast, drejtuesit e operacionit pohuan se arsyeja e ndërhyrjes ka qenë interesi dhe projekti i rrugës hyrëse, pengesë për zbatimin e të cilit bëhej pjesërisht muri rrethues i këtij objekti. Ka qenë gjithashtu interesi publik për të realizuar projektin e rrugës hyrëse edhe në rastet e tjera të ndërhyrjes për prishjen e mureve dhe kufizimeve të bizneseve të tjera në afërsi të Qafës së Gjashtës dhe fshatit Metoq. Aty kanë ndërhyrë fadromat e Inspektoratit Ndërtimor, të ardhura nga Tirana. Veç qytetit, aksioni ka vazhduar në jug të Sarandës, deri në pikën kufitare të Qafë-Botës, ku u prishën dy ndërtesa të paligjshme në mjedisin brenda pikës së kalimit kufitar. Aksioni i Policisë Ndërtimore ka vazhduar në Manastir, rreth 1 km larg qytezës së Ksamilit dhe në plazhin Pasqyrat, ku nuk janë kursyer as ndërtimet me material të lehtësuar.
Prishen godinat pa leje buzë Rozafës
SHKODER - Zona muzeale, rrëzë kalasë “Rozafa” ka qenë objekt i prishjeve të ndërtimeve pa leje nga Inspektorati Ndërtimor i Bashkisë Shkodër. Dy banesa dhe një njësi tregtare të ndërtuara në vendin e quajtur ‘Qafë’ janë rrafshuar ditën e djeshme. Drejtori Roland çomo u ka bërë apel qytetarëve që të zbatojnë pa hezitim për lirimin e sipërfaqeve të zonave muzeale dhe parkut arkeologjik nga ndërtimet pa leje.