TIA, fushatë pastrimi me nxënësit
Me rastin e Ditës Botërore të Mjedisit, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) organizoi dje një fushatë pastrimi. Jashtë zonës së Koncesionit në afërsi të aeroportit, për grumbullimin e mbetjeve, kositjen e barit dhe pastrimin e rrugëve. Nëpërmjet kësaj nisme, TIA synon të mbrojë dhe përmirësojë kushtet mjedisore përreth zonës së aeroportit, të rrisë ndërgjegjësimin mjedisor, të tërheqë vëmendjen dhe të nxisë aksione të duhura, përmes një bashkëpunimi të ngushtë me komunitetin. Fëmijë nga shkolla e Rinasit, komuna Nikel, kontraktorët për mirëmbajtjen e TIA, Fjona 2006, Garden Line dhe FM Supreme u bashkuan në këtë nismë. “Kontributi i TIA për mbrojtjen e mjedisit dhe respektin ndaj tij nuk ofrohet vetëm brenda një dite. Kompania ka politika rigoroze për mjedisin, shëndetin dhe sigurinë”, tha Suela Keri, Drejtoresha e Përgjithshme e Financës e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.