E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, shkrumbohet fabrika e sfungjerit

Pronarët: Humbëm gjithçka kishim. Shkak për zjarrin dyshohet një shkëndijë elektrike nga luhatja e tensionit
Zjarri shpërtheu te aspiratori dhe përfshiu gjithë godinën. Zjarrfikësit: Shuarja e zjarrit, e pamundur
ELBASAN-Luhatja e tensionit ka shkrumbuar një fabrikë sfungjeri në ish -Kombinatin Metalurgjik, rreth 1 km larg qytetit të Elbasanit. Zjarri ka rënë rreth orës 10.20, në brendësi të fabrikës dhe më pas është shpërndarë në të gjithë godinën, duke shkrumbuar për pak minuta sasinë e sfungjerëve dhe pajisjet për përpunimin e tyre. Në brendësi të fabrikës kanë qenë dy bashkëshortët Dema (pronari) dhe ekonomisti, të cilët kanë dalë menjëherë sapo kanë ndier erën mbytëse të tymit dhe zjarrin që po përfshinte me shpejtësi sfungjerët. Edhe pse janë lajmëruar menjëherë zjarrfikësit, mbërritja e tyre ka qenë disa minuta më pas, kur gjithçka ishte djegur. Vetëm gjatë orëve të para të mëngjesit, fabrika kishte marrë furnizimin e fundit dhe dëmet për pronarët e fabrikës arrijnë deri në 3 milionë lekë të reja, pa llogaritur pajisjet dhe vetë godinën.
Ndërhyrja
Dy mjete zjarrfikëse dhe një numër i madh efektivash mbërritën brenda 20 minutash nga rënia e zjarrit në fabrikën e sfungjerit. Megjithë ndërhyrjen e tyre për të izoluar dhe për të shpëtuar ç'të mundnin nga mallrat dhe pajisjet, gjithçka ka qenë e kotë. Shefi i PMNZSH-së, Aleksandër Hodo, tha se dëmi ka qenë i madh dhe ndërhyrja me ujë në këto raste nuk zgjidh asgjë, pasi të tilla zjarre janë shumë të rrezikshme. "Megjithëse përdorëm të gjithë mundësitë dhe zjarrfikësit, ndërhyrja në këtë rast ka qenë shumë e vështirë për vetë materialet e rrezikshme. Edhe pse vetë pronarët e fabrikës i kishin marrë masat teknike, në rast zjarri në sfungjerë, në asnjë rast të ngjashëm nuk është bërë e mundur fikja për shkak të djegies së menjëhershme",- tha ai. Paraprakisht mendohet se zjarri ka nisur nga një shkarkesë në aspirator për të vazhduar më tej në depozitat e sfungjerit dhe në të gjithë godinën. "Sipas të dhënave të para dyshohet se ka pasur një luhatje tensioni, të cilën ne jemi duke e verifikuar",- tha Hodo.
Pronarët
Sipas pronarit Bedri Dema humbja është e madhe. Familja e tij kishte marrë me qira dy muaj më parë godinën dhe aparaturat duke filluar një aktivitet me sfungjerët. Sapo kishin përfunduar të gjithë proceduarat dhe blerjen e mallit që do të përpunohej dhe sistemohej janë gjendur përballë djegies. "Gjithçka ka ndodhur brenda një kohe të shkurtër dhe ne nuk kemi pasur asnjë mundësi për të ndërhyrë. Edhe pse mora pompën me ujë ishte e pamundur. Edhe pse zjarrfikësit u vonuan edhe në rast se do të kishin ardhur në kohë nuk do të kishin bërë gjë. Para se të shfaqej zjarri pati një luhatje të energjisë elektrike disa herë dhe herën e fundit erdhi tension i lartë",- tregon ai. Më pas zjarri u përhap në brendësi të fabrikës. Ai kërkon ndihmën e shtetit dhe marrjen e përgjegjësisë nga ana e KESH-it, jo vetëm për humbjen ekonomike, por edhe sepse gjithë punëtorët e punësuar mbetën pa punë. Ndërkohë dy shtëpi janë shkrumbuar në Gramsh dhe në Elbasan si pasojë e një shkëndije elektrike dhe të pakujdesisë së familjarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›