E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, të djathtët braktisin këshillin bashkiak

Të djathtët: Kthehemi kur të zbatohen vendimet e Këshillit. E Majta: Po pengoni projektet e qytetit


ELBASAN - Këshilltarët e djathtë të këshillit bashkiak të Elbasanit kanë bojkotuar dje mbledhjen e radhës së këtij këshilli në shenjë proteste për moszbatim të vendimeve të këshillit nga ana e institucionit të bashkisë dhe kryetarit të saj, Qazim Sejdini.


Në fjalën e marrë kryetari i Këshillit të Qarkut Blendi Himçi u shpreh se "bulevardi po mbahet peng nga bashkia. Ka një vendim për rregullimin e qarkullimit rrugor që në vitin 2007. Ligji përcakton se është këshilli bashkiak është enti që vendos për bulevardin.


Ndërkohë, kryetarja e këshilltarëve të grupit të djathtë Bukuroshe Sejdini u shpreh se "nëse vendimet e këshillit bashkiak nuk gjejnë zbatim, ne do të largohemi nga këshilli. Ne deklarojmë se nuk do të marrim pjesë në mbledhje për sa kohë që kryetari i bashkisë nuk merr në konsideratë kërkesat e këshillit bashkiak dhe nevojat e qytetarëve. Ne mendojmë të bojkotojmë mbledhjen".


Kreu i Bashkisë, Qazim Sejdini, ka reaguar duke e cilësuar detyrë të juristëve sqarimin e kompetencave. Ai ka theksuar se ky është një vendim politik i të djathtëve, por që do të sqarohet nga vetë ligji. Duke përfituar nga ky moment Sejdini ka kërkuar nga këshilltarët, që ky këshill t'i drejtohet me një letër falenderimi dhe të bëjë lobing për ndërtimin e rrugës me tunel Elbasan-Tiranë.


Pasi kanë vazhduar debatin të majtë e të djathtë mbi hapjen apo të bulevardit dhe kompetencat, këshilltarët e djathtë kanë pranuar të qëndrojnë për miratimin e pikave më të rëndësishme, por duke u larguar më pas. Kreu i këshillit Bashkiak, Eugen Isai, tha se problemi më i madh i qytetit është trafiku i vështirë. "Edhe në qytetet turistike, - tha ai, - shëtitorja nuk mbyllet kështu siç ndodh në Elbasan".


Edhe zjarrfikësit edhe policia rrugore kanë kërkuar që ky segment të jetë i hapur dhe të kufizohet gjatë pasdites. Kur kanë mbetur edhe disa pika për t'u trajtuar, ndër të cilat trajtimi me strehim për 9 familje, këshilltarët e djathtë janë larguar duke lënë të hapur mundësinë për një mbledhje jashtë radhe, por pas një relacioni të bashkisë mbi zbatimin e vendimeve të Këshillit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›