Elbasan, të djathtët marrin kreun e këshillit bashkiak
Ajo që ishte lakuar këto ditë në rrethet e politikës lokale të qytetit të Elbasanit është konkretizuar dje në mbledhjen e radhës së këshillit bashkiak të këtij qyteti. Grupi i këshilltarëve të djathtë ka kërkuar zyrtarisht shkarkimin e kryetarit të këshillit bashkiak të Elbasanit, Bujar Kllogjërit, përfaqësues i LSI-së dhe kanë arritur ta shkarkojnë atë me ndihmën edhe të katër këshilltarëve që i përkasin së majtës. Kërkesa për shkarkimin e kreut të këshillit bashkiak është paraqitur në mbledhjen e djeshme. Duke qenë të sigurt se kishin votat e mjaftueshme, demokratët kanë mundur të fusin këtë kërkesë jashtë rendit të ditës së kësaj mbledhjeje. Me procedurë të përshpejtuar ka nisur dhe votimi për mocionit e mosbesimit dhe në përfundim të votimit të fshehtë kanë rezultuar se 24 këshilltarë kanë votuar pro shkarkimit të Kllogjërit dhe 18 kundër. Më pas, grupi i djathtë ka propozuar dy kandidatura për kreun e këshillit bashkiak dhe në këtë post është zgjedhur Blendi Himçi.