E Shtunë, 31 Tetor 2026

E-mailet, Alibeaj: Lidhja ime me çështjen "Gërdeci"

Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka sqaruar pozicionin e tij në lidhje me "akuzat" e prokurorisë për çështjen Gërdeci. "Thuhet që ministri në kohën kur nuk ka qenë ministër, ka qenë arkitekt, kjo nuk është e vërtetë, ministri ka qenë në detyrë, besoj tepër të rëndësishme, e panjohur më parë në qeverisjen para Partisë Demokratike, drejtor i Departamentit të Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Antikorrupsion" tha ministri. Ai foli hapur edh ëpr çështjen "Fazliç", ku akuzoi një prokuror në prokurorinë e përgjithshme se kishte tentuar të ndalonte serb-boshnjakun.

Fillimisht, deri ku kanë mbërritur reformat në sistemin e drejtësisë shqiptare, e them këtë gjithnjë duke marrë parasysh edhe vlerësimit, madje herë-herë edhe kritikat e vëzhguesve dhe organizmave ndërkombëtare se në këtë fushë mbetet shumëçka për tu bërë. Çfarë është bërë?

Atëherë unë po filloj nga konstatimi juaj i fundit që në këtë fushë mbetet shumë për të bërë. Sigurisht që mbetet shumë për të bërë, të paktën nga ana e pozitës, nga ana e mazhorancës ose Qeverisë. Është konsideruar që në momentet e para që kjo reformë ka një fillim, ka një start, por kurrsesi nuk do të ketë një përfundim, një finish, ku të gjithë të themi që hodhëm pas një reformë. Jo! Reforma është një mentalitet, mentalitet vazhdues. Qeverisja do të duhet të përshkohet nga ky fill tejpërshkues, reformues. Ka një fjalë të urtë në Shqipëri: Uji që rri ndenjur, qelbet. Më falni për shprehjen, por unë besoj që kjo duhet të jetë mentaliteti në të cilin ne do të duhet ta hedhim poshtë.

Të mundohemi t‘i bëjmë sa më të kapshme këto çështje. Zoti ministër, kohët e fundit disa çështje, disa raste me vlerësimet nga më të ndryshmet ju kanë vënë edhe juve si ministër në qendër të vëmendjes, rikujtoj çështjen e Gërdecit, pastaj rastin Trebicka, pastaj rastin më të fundit Fazliç, sikur ju kanë vënë në qendër të vëmendjes. Le të shkojmë radhazi, shtypi shqiptar ka pasur disa tituj ku ju akuzon si arkitekt të Gërdecit. Çfarë lidhje keni ju me Gërdecin?

Aq lidhje sa mund të ketë një arkitekt me një jurist. Sigurisht që këto janë, le të themi, komente apo konstatime të shtypit. Madje po ju them pa droje që është shtyp i pozicionuar qartësisht majtas. Edhe kjo është një gjë e natyrshme që edhe shtypi të ketë profilizimin e vet politik, majtas ose djathtas.

Çfarë mund të bëni ju si ministër në këtë rast?

Pikërisht kjo është ajo gjë që unë me kaq kohë dhe me kaq habi sa po e konstatoj edhe tek ju, nuk po e gjej dot. Thuhet që ministri në kohën kur nuk ka qenë ministër, ka qenë arkitekt, kjo nuk është e vërtetë, ministri ka qenë në detyrë, besoj tepër të rëndësishme, e panjohur më parë në qeverisjen para Partisë Demokratike, drejtor i Departamentit të Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Antikorrupsion. Detyrë e cila u krijua që në vitin 2005 si departament dhe kishte dy komponent kryesorë, një komponent të rrafshit ekzekutiv, pra që nisej me hetime dhe investigime gjithmonë në aspektin administrativ dhe jo në aspektin penal. Dhe kishte një komponent tjetër, le të themi legjislative. Pra atje ku konstatoheshin që kishte mangësi të akteve ligjore apo vakum ligjor, që duhet të rregullojnë një shtet ligjor, një shtet që vepron nën ombrellën e ligjit do të duhej të jepte këshillime të veta juridike, kjo ka ndodhur jo vetëm në këtë rast, por edhe në shumë raste të tjera, gjithmonë në fokusin për të parë që procedurat ligjore apo nënligjore lejonin shtigje hipotetike për veprimtari korruptive. Kjo ka ndodhur, asgjë më tepër. Po jap komente pra në atë çka shtypi thotë, duke parë që janë komente më tepër se sa konstatime faktesh.

Të kërkojmë mendimin tuaj edhe për atë që nuk e thotë shtypi por e thonë politikanët, e thonë diplomatët. Fillimisht ambasadori amerikan dhe vetë ambasada përmes një deklarate publikisht, nëse më lejohet ta interpretoj, ju kanë kritikuar për veprime abuzive në raport me institucionet të tjera, ju nuk jeni përgjigjur. Nga ana tjetër edhe OSBE-ja ka mbajtur një qëndrim me deklaratat e mësipërme. Dua t‘ju pyes përse ka lindur konflikti me institucionet e pavarura siç është Prokuroria apo Këshilli i Lartë i Drejtësisë?

T‘ju korrigjoj për të qenë më strikt dhe më korrekt nga atë çfarë të paktën shtypi ka thënë. Ju po interpretoni dhe thatë që më ka kritikuar për veprime abuzive...

Interpretimi im është...

Është interpretimi juaj, por në fakt është jo e saktë nga ajo çfarë unë kam konstatuar. Unë besoj që në këtë rast konflikte dhe përplasje mund të japin çfarëdolloj konotacioni, apo çdolloj emocioni, e kësaj jete dinamike, qoftë edhe të standardit demokratik, të Shqipërisë, mund të jepet çfarëdolloj ngjyrimi, herë me tone më të larta dhe herë me tone më të ulëta. Unë besoj që këto përplasje, këto konflikte, po i qëndroj terminologjisë suaj, kanë ndodhur ose mund të ndodhin për dy arsye. Arsyeja e parë është kur ligji vetë është i tillë, i shkruar në cilësi të tillë, në mungesë të një qartësie apo konsistence, të lejon apo të mundëson, ekzistencën ose mundësinë hipotetike të një lloj përplasjeje institucionale. Rasti tjetër është kur ligji është i pastër, i qartë, i saktë, i testuar kudo dhe ka veprime në kundërshtim me ligjin. Unë besoj që ju keni ndërmend kur thatë interpretimin tuaj ku bëhet fjalë për dy veprimet më të fundmet. Le të themi, një procedurë kontrolli në Prokurorinë e Tiranës dhe ligji për administratën gjyqësore i cili është në Parlament tashmë, është ligji i pamerituar, unë do t‘ia lija vlerësimin tuaj dhe të publikut, po jap disa fakte të thjeshta dhe të qarta, do të më besoni që kjo është e vërteta, pastaj mund të jetë komenti i çdokujt për të parë nëse ka apo jo një konflikt, nëse ka apo jo një përplasje. Ligji për Prokurorinë, ligj i miratuar që në vitin 2000, pra i miratuar në kohën kur në pushtet ishte Partia Socialiste, i miratuar mbas miratimit të Kushtetutës. Dihet që ka një moment tepër të rëndësishëm kohor miratimi i Kushtetutës, një sër ligjesh të reja dalin besoj në standardet e Kushtetutës, parashikon edhe një lloj marrëdhënieve reciproke ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe prokurorisë, si dy institucione që janë më shumë teknike se sa politike, njëri që bën pjesë në ekzekutiv dhe njëri që bën pjesë si sistem i pavarur, jo pushtet, por sistem funksional i pavarur.

Pa përjashtuar pavarësinë...

Sigurisht pa përjashtuar pavarësinë. Ky ligj në një nga dispozitat e veta, i punuar besoj me shumë delikatesë, me shumë finesë, me shumë qartësi, me shumë maturi madje e konstatoj një gjë të tillë, i cili parashikon një te drejtë shumë elementare që Ministria e Drejtësisë ka të drejtë të njihet, të konsultohet, me ligjshmërinë dhe rregullueshmërinë e mbajtjes të disa akteve, të disa regjistrave administrativ të Prokurorisë. Për sa i përket ligjit tjetër, ligjin për administratën gjyqësore, unë mund t‘ju them, para se të komentohej edhe nga miqtë tanë ndërkombëtarë, është një ligj i cili rregullon statusin e një kategorie tepër të rëndësishme që i shërben gjyqësorit dhe që quhet administratë gjyqësore, nuk është gjë tjetër, është gjithë ajo kategori nëpunësish, punonjësish, të cilët nuk japin vendime, nuk gjykojnë, gjykojnë gjyqtarët, por sigurisht gjyqtarët, le të themi për të qenë të ftohtë, komod, komfort për të dhënë drejtësinë, për të lexuar ligjin ashtu siç thotë, për të gjykuar edhe për të krijuar bindjen e tyre të brendshme në bazë të provave, duhet të kenë kushtet.

Ka vlerësime sipas të cilave kjo mazhorancë nuk e ka plotësuar premtimin, zotimin se do të ekzekutoheshin 5 mijë vendime gjyqësore, cilat janë problemet që paraqiten si pengesë në këtë rrafsh?

Komponenti tjetër se ku bëhet reformë është reforma ligjore. Sigurisht që ligjet jo gjithmonë kanë qenë të sofistikuara, kanë qenë ligje të standardeve. Vetë ligji duke qenë i tillë krijon dhe ai shtigjet e veta, mundësitë e veta, vakumet e veta për të krijuar këto praktika abuzivizmi apo korruptive. Ka ndodhur, le të themi për Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme që është bërë një ndryshim tërësor i ligjit, madje aktualisht është duke u draftuar dhe besoj do të përfundohet edhe shpejt me rregulloren e brendshme, i cili duhet të jetë Bibla apo Kurani i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, e cila do të rregullojë përfundimisht sjelljen e të gjithave zyrave karshi qytetarëve. Tjetër për sa i përket shërbimit përmbarimor, ju thash fillimisht që një nga, le të themi iniciativat reformuese, është privatizimi i shërbimit përmbarimor dhe këtu do të duhet të bëja një sqarim fare të shkurtër, që nuk bëhet fjalë që shërbimi përmbarimor të privatizohet në konceptin klasik të kalimit nga shteti në privat, madje edhe me praktika korruptive, jo nuk është kjo.

A kemi ndonjë shifër se sa është numri i vendimeve që nuk janë ekzekutuar nga gjykata?

Ju thashë përqindjen për atë që është ekzekutuar, tetor 2008, është mbi 80%. Pjesa tjetër është në pritje.

Në këtë pjesë të parë të këtij bashkëbisedimi kam veçuar edhe një çështje tjetër e cila është le të themi me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi. Njoftime nga organe gjyqësore në Beograd kanë lënë të kuptohet që një delegacion serb do të qëndrojë në Tiranë për një çështje që lidhet me konfliktin e 99-ës në Kosovë, që përmendet nga ish-kryeprokurorja e Hagës, Karla Del Ponte, mbase ju jeni personi më i përshtatshëm që do të na e sqaronte këtë çështje. Si është e vërteta e lidhur me këtë?

Sigurisht nëse bëhet fjalë për çështje konkrete ju duhet të më pozoni diçka edhe më konkrete. Ajo çfarë mund t‘ju them unë në këtë rast është një trajtesë juridike le të themi e sistemimit që Ministria e Drejtësisë ka në marrëdhëniet gjyqësore. Sigurisht që një nga konventat kryesore te Këshillit Evropës është për ndihmën e ndërsjellë juridike mes organeve juridike të vendeve respektive. Kjo marrëdhënie krijohet nëpërmjet ministrive respektive, nis nga organet që janë teknike dhe mekanizmi që i bashkon janë organet politike, ministritë e drejtësisë respektive.

...Mund të pritet ardhja e hetuesve serb?

Hetuesit serb janë të pritur të vijnë për të kryer një bashkëpunim për çështje konkrete në bazë të standardeve demokratike të ligjit sipas standardeve evropiane.

Keni dhënë apo do të jepni dritë jeshile për këtë?

Nëse do të plotësohen kushtet, nëse aktet do të jenë në formën e tyre, nuk ka arsye pse të mos jepen. Nëse gjithçka është një iniciativë politike, ndoshta edhe diabolike, sigurisht që ka një dinjitet të një popullsie shqiptare dhe kosovare me të cilën nuk mund të luaj askush, nuk mund të tallet askush, por veçse duhet të ketë për vuajtje dhe nderim, madje kërkim falje ndonjëherë, atëherë kur do ta ndjejnë.

A shkeli ligjin policia që nuk siguroi ndalimin e biznesmenit Fazlliç që prokuroria kishte kërkuar për ta marrë në pyetje?

Unë do t‘ju kërkoja me shumë mirëdashje që këto fjalë të mos i konsideroni si fjalët e Ministrit të Drejtësisë, por komente, çfarë ka ndodhur apo çfarë di unë. Ka ndodhur që një nga prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme ka ngritur telefonin dhe i ka telefonuar dy oficerëve të policisë së shtetit dhe në telefon i ka kërkuar një gjë të tillë, duhet ta ndaloni një person të tillë, shtetasin Damir Fazlliç i cili ndodhej atë ditë në Rinas dhe kaq. Çfarë thotë ligji bazë i cili disiplinon në mënyrë strikte dhe besoj shumë të qartë veprimtarinë e prokurorisë nga njëra anë dhe sjelljen e shtetasve nga ana tjetër, por edhe të Policisë së Shtetit, siç quhet ndryshe policia gjyqësore. Thotë: Marrëdhëniet midis prokurorisë, njoftimet dhe personave të interesuar, një person i interesuar ka qenë edhe Damir Fazlliç do të duhet të bëhen në tre mënyra, ose me postë, ose i komunikohet një akt duke e pajisur policinë gjyqësore me aktin konkret, ose i komunikohet me anë të nëpunësve gjyqësore. Asnjë nga këto tre mënyra komunikimi të një akti procedural nuk ka ndodhur. Atëherë cili ishte skenari që do të ndodhte. Dy policë, pavarësisht nga grada do të duhej që në aeroportin shumë të bukur të Rinasit të ndalonin një njeri dhe duhej që t‘i thoshin, nuk do të kesh atje ku ke dëshirë por do të vish me ne në komisariat. Sigurisht që ky është një skenar që ka ndodhur para 20 vitesh dhe që janë makthe që do të duhet të largohen.

Ishte kjo shumicë qeverisë që miratoi emërimin e Kryeprokurores dhe tani që i prek interesat e qeverisë, kërkon t‘i bëj presion. Kështu doni që të vendoset shteti ligjor në Shqipëri?

Atëherë duhet të shihni atë çka është thelbi i gjësë. Nuk do të ndodhë me këtë qeveri, me këtë mazhorancë, se për shkak se ka votuar dhe ka dhënë votën e vet, moralin e vet një individi të nderuar në punën e vet për të kryer punën e vet në bazë të ligjit, t‘i kërkohet më vonë që të krijojë marrëdhënie klientelizmi. Marrëdhënie të këtilla, le të themi mazhoranca e mëparshme, të cilat kanë emëruar prokurorë apo funksionarë të tjerë të cilët më vonë nuk kryenin asnjëherë detyrën e tyre qoftë edhe për të hetuar me të drejtë apo pa të drejtë ata për cilin kishin votuar, nuk ka ndodhur. Kjo mazhorancë ka treguar dhe ka qenë besoj fisnike, dinjitoze dhe korrekt me ligjin. Sjellja e mazhorancës është e tillë, nuk formon asnjëherë marrëdhënie klientelizmi me atë që quhet sistem i pavarur. Në një moment të parë jep votën dhe nuk pretendon asnjëherë që të kërkojë shpërblim prej këtyre njerëzve. Është e qetë, është e lirë, lë njerëzit që të punojnë dhe i përgjigjet çfarëdolloj kërkese të ligjit.

Raporti i fundit OSBE-së thotë që ministria e juaj ka përfunduar projekt-ligjin e prokurorisë në gusht të 2008, pa marrë konsultime të nevojshme. Çfarë komenti keni për këtë?

Është e vërtetë që OSBE në një raport ka bërë një konstatim të tillë që në gusht të 2008 ka përfunduar ligji për prokurorinë ende i pakonsultuar. Ligji për prokurorinë ende nuk ka përfunduar së draftuari. Jemi në momentet e fundit, nuk do doja të bëja ndonjë zbulim të madh, por me kënaqësi mund t‘ju thosha që të themi në bashkëpunimin teknik, ligjor, midis ministrisë dhe prokurorisë dhe asistentëve tanë kemi gjetur përfundimisht gjuhën e përbashkët për konceptet kryesore që duhet të përmbajë kjo reformë në sistemin e prokurorisë. Fakti që ju them që nuk ka përfunduar dhe shumë shpejt do të përfundojë, do të thotë që nuk ka përfunduar as në gusht. Sqarimi është fare i thjeshtë. Ligji ka filluar të draftohet dimensionet e reformës që në mars të këtij viti, në një urdhër të përbashkët të ministrit në detyrë dhe Prokurores së Përgjithshme në detyrë

KLD-ja do t‘i zhvillojë mbledhjet e radhës për disa procedime disiplinore të gjyqtarëve nëpër disa qytete të vendit, aty ku ata gjyqtarë kanë punuar. A nuk ju duket zoti ministër këto mbledhje si ato të gjyqeve popullore që bëheshin dikur?

Sigurisht që unë nuk do të doja t‘i jepja ngjyrime të tilla faktit, sepse kryetari i KLD-së ka të drejtë për të caktuar rendin e ditës, vendin dhe kohën se ku do të zhvillohet. Unë jam i prirur që të besoj se ka një qëllim të mirë. Sigurisht që ka disa kosto më të larta për t‘i zhvilluar mbledhjet në gjykatat përkatëse. Cili është përfitimi? Përfitimi është se Gjykata e Drejtësisë për shumë kohë, madje mund të themi që nga momenti i krijimit të tij ka pasur një distancë tepër të largët midis atyre që kanë zgjedhur, që janë gjyqtarët, dhe atyre që janë zgjedhur anëtar të gjyqësorit në KLD. Pra ka pasur një lloj distance jo vetëm fizike dhe kohore, por mbi të gjitha llogaridhënie dhe përgjegjshmërie. Do të duhet që ata që përbëjnë KLD-në, të tregojnë përpara votuesve të tyre se cila është sjellja e tyre, se s‘i i mbajnë këto të fundit premtimet e tyre. Besoj se në momentet e para kur kanë kërkuar votën e gjyqtarëve, kanë thënë se çdo praktikë, çdo gjyqtar i korruptuar, ose abuzivit me detyrën do të duhet të ndëshkohet prej tyre me votën e tyre. Nuk ka më mirë se transparenca, se sa qoftë edhe dhënia e një perceptimi të qartë që veprimtaria e KLD-së është e hapur, është e përgjegjshme, kjo është kryesore. Për këtë gjë ne duhet t‘i referohemi çfarëdolloj mjeti.

Gjykatat janë parë gjithmonë si të korruptuar, ndërkohë që për prokurorinë dhe prokurorët asnjëherë nuk është folur. Por unë di shumë raste që kanë kërcënuar se nuk do t‘ua tërhiqnin denoncimin nëse nuk u jepnin ryshfet. A mendoni se edhe ata janë të korruptuar?

Është e drejtë. Jo të gjithë i referohen këtyre praktikave. Ashtu si edhe gjyqësori edhe ata janë të prekur nga praktika korruptive. Çudia më e madhe është se ashtu si gjyqtarët edhe prokurorët shumë rrallë ka ndodhur, për të mos thënë asnjëherë, duhet thënë që ekzekutivi në këto tre vjet ka parë duke filluar nga rangjet më të larta politike, me zëvendësministra të njohin burgimin, nuk ka ndodhur kjo me gjyqtarët dhe prokurorët, kjo është një situatë e pakëndshme normalisht, një situatë që do të duhet të ndryshojë dhe me reformën që po bëjmë po shkojmë drejt saj, që edhe prokurorët konkretë të jenë të përgjegjshëm me ligjin dhe me qytetarin.

Zoti Ministër, policia i kap dhe gjykata i lëshon. Kështu thuhet për të ndaluarit që po bëjnë tender me dosjet. Si e komentoni ju këtë?

Ky është një fakt që ka ndodhur dhe po ndodh. Sigurisht që policia është organi që ka të drejtë jo vetëm të ruaj rendin por edhe të kapë keqbërësit apo të dyshuarit. Sigurisht që një lloj sensibiliteti të tillë të policisë, të organeve ekzekutive do të duhet ta kenë edhe sistemi gjyqësor dhe ai i prokurorisë. Qeverisja sigurisht bëhet jo vetëm nga njerëz që punojnë nënekzekutiv por bëhet edhe nga njerëz që punojnë nën sisteme të pavarura, siç është prokuroria dhe gjykata. Por nuk duhet të harrojmë që jetojmë të gjithë në të njëjtin vend, që jetojmë të gjithë në të njëjtën situatë, jetojmë të gjithë me të njëjtën media që dëgjojmë, jetojmë të gjithë me të njëjtën problematikë të shoqërisë dhe sensibiliteti dhe reagimi që duhet të jetë i të gjithë këtyre segmenteve shtetëror, jo vetëm i policisë, jo vetëm i prokurorisë, por edhe të gjykatës, të gjithë duhet të sensibilizohen. Ndodh që policia i kap dhe gjykata i liron, jo gjithmonë kjo ndodh për faj të gjykatës dhe të prokurorisë, ndodh edhe për ndonjë neglizhencë të organeve të policisë, por unë besoj që edhe vetëm gjyqtarët, edhe vetë prokurorët duhet të jenë paksa më të ndjeshëm ndaj problematikës.

Përse qëndroni indiferent ndaj mosdeklarimit të financimeve të fushatave zgjedhore të partive politike. A i shërben ky qëndrim shtetit të së drejtës?

Qëndrimi i zotit Alibeajt. Unë besoj se i shërben shtetit të së drejtës. Sepse reforma e kodit zgjedhor e cila duhet të jetë ajo edhe mekanizmin apo disiplinimin e partive politike është duke u bërë nga parlamenti, i njëjtë themi edhe me reformën në drejtësi, i cili është akti normativ që përcakton rregullat e lojës në garën për të marrë pushtetin dhe duhet të jenë lojtarët ata që në një moment të hershëm të përcaktojnë këto rregulla dhe tu binden atyre gjatë kohës që gara zhvillohet. Sigurisht që unë jam Ministër i Drejtësisë, por ky rregullim është duke u disiplinuar, unë besoj në një pajtim të forcave politike në parlament. Ajo çka ministri ka bërë dhe ekzekutivi ka bërë, është që ka paraqitur, ka konceptuar, ka draftuar një ligj të posaçëm që është një detyrim jo vetëm moral i kësaj shoqërie, i këtyre forcave politike, por madje është një detyrim edhe i angazhimeve tona ndërkombëtare. Ka një konventë të Këshillit të Evropës e cila përcakton që duhet të ketë një ligj për financimin e partive, ky ligj është bërë, është draftuar, është paraqitur forcave politike dhe është menduar që forcat politike, ta fusin si një pjesë të kodit elektoral. Një ligj fare i thjeshtë i cili thotë: Transparencë dhe deklarim të plotë të të gjithave financimeve dhe në rast kur shkelet ky deklarim dhe vetëdeklarim penalizohen forcat politike.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›