E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasani, Arben Laze del garant për rrogat: Paguaj sot

Nëse deri dje, të gjithë mendonin se presidenca po e zvarriste pa mbarim çështjen e shumëpërfolur të pagave dhe të paktë ishin ata që e besonin se të mërkurën do të merreshin paratë e prapambetura nga futbollistët, për fat të mirë kësaj here kanë gabuar. Atëherë kur thuajse askush s'e priste, rishfaqet presidenti Arben Laze. Ai ka pohuar se sot lojtarët do të marrin rrogën e premtuar dhe nuk do të ketë më zvarritje të tjera. Më pas, në ditët në vijim do të marrin edhe pjesën e mbetur. Prandaj, ekipi duhet të vijojë punën normalisht, sepse ai do t'u japë gjithë sa u takon. "Unë me bindje deklaroj se sot lojtarët e Elbasanit do të marrin rrogën e parë. U premtoj atyre se këto probleme do të zgjidhen. Prandaj, ekipi duhet të vazhdojë punën normalisht dhe të punojë për ndeshjen e ardhshme, - ka thënë Laze. - Unë gjithmonë kam dhënë më të mirën për Elbasanin, kurdoherë kam bërë të pamundurën që kjo skuadër të qëndrojë në majat e futbollit shqiptar. Dhe sot, ky ekip, ky qytet, meriton më të mirën. Sa të mundem, do ta ndihmoj. Do bëj çmos që skuadra të dalë nga kjo gjendje". Pas kësaj deklarate të vetë presidentit, zërat për një zvarritje të mëtejshme të dhënies së pagave do të jenë më të paktë në numër.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›