E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasani bën detyrën, thyhet më në fund edhe Ada

Elbasani Ada        1-0
Shënues: Hila 59

Elbasani: Ruçi, Bella, Sekseni, Kacollja, Ibrahimi (Krekasi 72), Merxha, Gava (Olatunji 79′), Hila, Toçi (Halilaj 91), Dalipi, Galica. Trajner: I. File.
Ada: Dervishaj, Isufi, Tota, Ara, Hotaj (Gogaj 71), Ferlushkaj, Osja, Dalipi (Nika 75), Pllumaj, Lifja, Puka (Murati 58). Trajner: S. Nikaj.
Gjyqtarë: B. Ziri, Sh. Ziri, E. Veseli (Fushë-Krujë)

Kartonë të verdhë: Sekseni, Dalipi, Ruçi, Ferlushkaj, Isufi, Ara

Elbasani ka mposhtur Adën në “Ruzhdi Bizhuta” falë një goli të Hilës në pjesën e dytë. Ada është paraqitur mjaft mirë në këtë ndeshje, por nuk ka mundur ta përballojë Elbasanin dhe ka pësuar humbjen e parë. Një fitore e rëndësishme, që e mban Elbasanin në vendet e para.
Loja nis pak e tensionuar dhe pas 7 minutash, Sekseni ndëshkohet me karton të verdhë për një ndërhyrje ndaj kundërshtarit. Loja luhet edhe nën ndikimin e një ere të fortë, që i pengon lojtarët të japin më të mirën. Pjesa e parë është e vakët për të dyja skuadrat dhe portierët Ruçi dhe Dervishaj janë në rolin e spektatorit. Elbasani mundohet të rrezikojë në portën e Adës, por gjuajtjet e Dalipit dhe Galicës nga jashtë zone nuk e shqetësojnë portierin Dervishaj. Më pas luhet në mesfushë, me një qarkullim të dendur të topit, pasi mbrojtjet nuk lënë hapësira. Pjesa e dytë fillon më mirë për Elbasanin, që e kërkon me ngulm golin, për ta gjetur në minutën e 59-të, me anë të mesfushorit Hila. Ka qenë një kombinim i bukur mes tij dhe Mateos Toçit, që është finalizuar me gjuajtjen e saktë në pozicion diagonal të Hilës. Më pas, verdheblutë e drejtuar nga trajneri File, vihen në kërkim të golit të dytë, por sulmi nuk është në një ditë të mirë dhe shpërdoron shumë raste. Rastin më të mirë për ta dyfishuar rezultatin e ka Endri Dalipi në minutën e 75-të, kur i vetëm përballë portierit mik, nuk arrin ta dërgojë topin në rrjetë. Ada e ka shumë të vështirë të dalë përpara, sepse vendësit ushtrojnë presion të vazhdueshëm. Në minutën e 85-të, i riu Krekasi ka rastin ta mbyllë ndeshjen, por edhe ai nuk arrin ta kalojë portierin mik, që del bukur dhe shmang një gol të sigurt. Në fund, në zonën e Elbasanit krijohet një rrëmujë, por mbrojtja largon topin dhe kështu ndeshja përfundon me rezultatin 1-0.
Trajnerët

Ilirjan File, trajneri i Elbasanit: E vlerësuam maksimalisht këtë ndeshje, që mendoj se ishte e bukur. Ekipi i realizoi mjaft mirë detyrat, duke zhvilluar një ndeshje mjaft të mirë. Mund ta kishim mbyllur takimin më shpejt, nëse do të arrinim ti shfrytëzonim rastet e krijuara. Era e fortë ndikoi në lojë, duke mos na lejuar të jepnim më të mirën.
Samuel Nikaj, trajneri i Adës: Ekipi zhvilloi një ndeshje mjaft të mirë. Lojtarët i realizuan detyrat, por kështu e ka futbolli. Kam rezerva për rastin e golit, pasi mendoj se u shënua në pozicion jashtë loje. Ishte një paraqitje e mirë, pavarësisht rezultatit. Shpresoj që Ada të vazhojë të luajë kështu.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›