E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skrapari ndalet në shtëpi, Burreli tani merr pikë edhe jashtë

Skrapari – Burreli 0 – 0

Nga KEJVI LAJTHIA

Skrapari: Kruja, Çerepi, Papleka, Allbani, Koreshi, Greca (Biba 65), Karaj, Bejleri, Pashako (Hasa 75), Duro (Daja 85), Brata.

Trajner: E.Dalipi.

Burreli: Halluni, Gjoka, Frisku, Koleci (Hoti 65), Haxhia, Allmeta, Hoxha, Mata, Hasani (Belba 85), Çaku, Pepa (Cena 48).

Trajner: L.Kola.

Gjyqtarë: D. Jubica, Gj. Bori. M. Qeseri (Shkoder)

Kartonë të verdhë: Brata, Cena.

Karton i kuq: Hasani.

Skrapari me Burrelin ndahen në barazim në një takim që i pati të gjitha brenda, lojën e fortë, kartonët e verdhë dhe të kuq, përjashtuar golin. Loja nisi e fortë dhe e bukur, pavarësisht shiut që e rëndoi paksa terrenin. Ekipi i Skraparit e fillon lojën me sulme të vazhdueshme, por që ndalen nga mbrojtia e fortë e matjanëve. Duhet të vinte minuta e 20-të, ku Brata rrezikon me një gjuajtje dhe, më vonë ishin Koreshi, Pashako që patën raste, por pa rezultat. Miqtë kundërpërgjigjen dhe rrezikojnë me anë të Kolecit, Matës, por edhe këta pa rezultat. Pjesa e parë përfundon me rezultatin e bardhë 0-0. Fraksioni i dytë i gjen më kërkues të dy ekipet, që kërkojnë të bëjnë më të mirën, por sulmuesit tregohen të nxituar para portave respektive. Për Skraparin rrezikojnë Karaj, Duro, por edhe mbrojtësit vendas janë në ndihmë të sulmit. Edhe pse krijojnë raste, nuk e gjejnë golin e avantazhit. Loja tensionohet, pasi miqtë duan të përfitojnë minuta dhe bëjnë vonesa të kota, duke u vonuar në momente dëmtimi, por edhe përpiqen që të largojnë topin jashtë murit rrethues, momente që janë përsëritur disa herë, sidomos gjatë pjesës së dytë. Në minutën e 85-të, Hasani i miqve del nga loja me karton të kuq dhe matjanët duhet të përballojnë me dhjetë vetë furinë e sulmueve vendase. Koha e rregullt përfundon në barazim, ndërkohë që gjyqtari i katërt sinjalizon katër minuta shtesë, por golat nuk duken, qoftë për skraparlinjtë, ashtu edhe për matjanët. Vendasit janë të pakënaqur për dy pikët e lëna në shtëpi, ndërsa miqtë largohen me një pikë të vlefshme.

Trajnerët  

Edmond Dalipi (trajneri i Skraparit): Skrapari u fut në fushë për fitore, por sulmi nuk ishte në lartësinë e duhur në këtë përballje që ne duhet ta kishim fituar. Kurse ekipi mik luajti i gjithi në mbrojtje dhe na e vështirësoi punën për të shkuar tek goli.

Lulëzim Kola (trajneri i Burrelit): Nuk u prononcua, pasi u largua menjëherë pas përfundimit të ndeshjes.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›