E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poçi dhe Dhëmbi marrin Besën për dore

Nga Elton Nika

Himara Besa         1-2

Shënues: Goro 30 / Poçi 52,Dhëmbi 65

Himara: Dine, Mehmeti, Imeraj, Qendro, Cana, Ziaji (Elmazi 60), Sinani (Hitaj 55), Goro, Sako, Zhunior, Kokona. Trajner: V. Laluci.

Besa: Bakaj, Hoxha, Krasniqi, Fejzullai, Ndoni, Dushku, Mihani, Poçi, Çelhaka (Duka 70), Roshi (Dhëmbi 46), Bubeqi (Hasa 70).

Trajner: G. Magani.

Gjyqtarë: A. Janku, N. Bregasi, D. Myftaraj (Tiranë)

Kartonë te verdhë: Kokona, Sina, Hoxha, Bubeqi

Himara nuk ia ka dalë të marrë pikë ndaj Besës, edhe pse ka luajtur në fushën e saj, madje edhe e ka mbyllur pjesën e parë me avantazhin e një goli. Në të dytën duket se kanë qenë lojtarët me shumë përvojë të Besës, që kanë përmbysur gjithçka dhe kavajasit janë larguar me 3 pikë nga Himara, duke regjistruar kështu fitoren e parë jashtë fushe.

Pjesa e parë është më e mirë për himariotët, të cilët kanë më shumë iniciativë, sulmojnë drejt portës së Bakajt dhe pas gjysmë ore lojë e gjejnë golin me anë të Goros, i cili godet saktë në hyrje të zonës së rreptësisë. Skuadra vendëse ka luajtur me shumë dëshirë gjatë 45 minutave të para, ndërkohë që kavajasit pak kanë bërë në këtë pjesë loje. Në pjesën e dytë ndryshon gjithçka. Miqtë nga Kavaja nuk kanë çfarë të humbasin dhe sulmojnë fuqishëm, ndërkohë që në fushë është edhe Dhëmbi. Pasi kalojnë 7 minuta nga pjesa e dytë, Poçi barazon rezultatin. Portieri Dine nuk arrin ta kontrollojë topin e goditur nga një lojtar kavajas dhe Poçi, i vëmendshëm, barazon shifrat në 1-1. Loja bëhet më e bukur, sepse të dy ekipet sulmojnë në kërkim të fitores. Në të 65-ën, pas ekzekutimit të një goditje këndi, Dhëmbi kërcen dhe gjuan saktë me kokë, duke shënuar golin e fitores për kavajasit. Himara ka në dispozicion edhe shumë minuta, por ky gol i godet psikologjikisht lojtarët e saj, të cilët nuk arrijnë të barazojnë, duke pësuar kështu humbjen e dytë në fushën e tyre, pas asaj me Luftëtarin. Besa ka fituar me vështirësi, por ky sukses është shumë i rëndësishëm për të, duke ditur pretendimet që kjo skuadër ka. Ndoshta kavajasit e kanë kaluar situatën e vështirë të fillimit të kampionatit. Nga ana tjetër, Himara ka bërë përpjekje për të marrë pikë, por kuptohet qartë se kategoria e parë është e vështirë dhe lojtrarët e saj duhet të japin më shumë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›