Mamurrasi gabon me Gramshin, humbet edhe dy pikë
Nga Altin Preçi
Mamurrasi Gramshi 2-2
Shënues: Ndreca 31 (11-metërsh), Dosti 87 / Duka 76, Le.Koçi 82
Mamurrasi: Myrtaj, Nika, Baçi, Matraku, Sharra, Dosti, Dashi, Metaj, Rustemi (Hysaj 73), Ndreca (Shima 56 ), Allamani.
Trajner: S. Bardhi.
Gramshi: Koçi, Dushku, Doçi (Pengu 79), Bodurri, Kaloshi (Moçolli 60), Çekrezi, Duka, Myftaraj (A.Çekrezi 78 ), Balla, Le. Koçi, Lezi.
Trajner: E. Mustafaraj.
Gjyqtarë: L. Alla, D. Koreshi, E. Prifti (Lushnjë)
Kartonë të verdhë: Koçi, Doçi, Duka, Metaj
Mamurarsi bën një tjetër hap fals në fushën e tij, duke lënë dy pikë në ndeshjen me Gramshin. Madje, Mamurrasi i ka shpëtuar humbjes në minutat e fundit, kur Dosti ka barazuar rezultatin.
Me fillimin e lojës u duk sikur Mamurasi do ta kishte të lehtë fitoren, fakt ky që ndikoi në paraqitjen e vendësve. Mamurrasi përpiqet të sulmojë,ndërkohë që miqtë janë më të kujdesshëm në prapavijë. Allamani provon me një gjuajtje, por pa gjetur kuadratin e portës mike. Mamurrasi e ul ritmin e lojës dhe aksionet e tij janë të lexueshme. Gramshi kërkon të impohet në lojë dhe nis të sulmojë, por me pasime të shumta dhe e ka të vështirë të gjejë të çara në mbrojtjen e vendësve. Mamurrasi fiton një 11-metërsh në minutën e 30-të me Dostin, që pengohet në zonë. Kapiteni Ndreca gjuan saktë dhe 1-0. Vendësit mundohen ta administrojnë lojën, kurse Gramshi i beson kundësulmit. Boduri gjuan bukur dhe topi kalon pranë shtyllës së Myrtajt. Rustemi shërben bukur për Allamanin, që gjuan bukur në hyrje të zonës dhe Koçi bën mrekullinë me një grushtim spektakolar. Pjesa e dytë është më e mirë për Gramshin, që synon të barazojë, kurse Mamurrasi mendon më shumë ta mbojë rezultatin se ta dyfishojë. Në minutën e 71-të, Duka përfiton në zonën vendëse i pambuluar dhe shënon golin e barazimit me kokë. Reagon Mamurrasi, por lojtarët e tij harrojnë mbrojtjen, dhe nga kjo përfiton Gramshi, që shënon sërish me Koçin në të 82-ën. Trajneri Bardhi i kërkon ekipit të reagojë dhe barazimi vjen 3 minuta para fundit nga Dosti, që gjuan bukur në hyrje të zonës. Një barazim i merituar për miqtë, ndërsa vendasit ankohen për gjykim të njëanshëm, sidomos të anësorëve, por rezultati është i pajustifikueshëm për ta.
Trajnerët
Sinan Bardhi, trajneri i Mamurrasit: Më vjen keq që nuk morëm 3 pikë, por gjyqtarët na penalizuan me pozicione jashtë loje të paqena. Një pikë nuk më kënaq dhe sërish jemi në vështirësi, nisur nga objektivi që kemi. Ekipi duhet të reagonte më shpejt.
Edmond Mustafaraj, trajenri i Gramshit: E arritëm objektivin. Nëse do të ishim treguar më të kujdesshëm, do të kishim marrë 3 pikë, por u ndëshkuam nga një gol aksidental. E përgëzoj ekipin për shpirtin e garës.