Kukësi kalon me vështirësi Gramozin
Kukësi Gramozi 1-0
Shënues: Ivanaj 8
Nga Bashkim SHALA
Kukësi: Koçi, Berberi, Rënxa, Lila, Rexhepi, E. Kola (M.Kola 55), Jevdjeviç, Mziu, Ivanaj (Spahiu 70), Malo, Xhetani (G. Hoxha 78). Trajner: Sh. Berberi.
Gramozi: Dervishi, Fasko, Shehu, Lamaj, Kodra, Musabelli, Omeraj, Shupe, Saliko (Cale 57), Bilibashi, Hysolli (Nelaj 57).
Trajner: I. Qirjako.
Gjyqtarë: S. Bogdani, F. Elezi, E. Velo (Durrës)
Kartonë të verdhë: Fasko, Shupe, Shehu, Xhetani
Kukësi ka fituar me vështirësi në ndeshjen me Gramozin me rezultatin minimal 1-0. Kolonjari Rexhepi është bërë shpëtimtari i kuksianëve në një rast, kur ka larguar topin që po kalonte vijën fatale. Goli për vendësit ka ardhur që në fillim, pas 8 minutash, kur shënuesi më i mirë i Kukësit dhe i kategorisë së parë, Kreshnik Ivanaj, ka shënuar. Ai u gjend i pambuluar brenda zonës së Gramozit dhe ka gjuajtur saktë rrafsh me tokën. U duk sikur Kukësi do ta thellonte rezultatin, por në fakt ka ndodhur ndryshe. Miqtë nga Erseka janë organizuar në sulm me anë të Bilibashit, lojtari që ka lëvizur më shumë dhe më i miri për kolonjarët. Rënxa e mban shumë topin, që rrëmbehet nga njëri prej sulmuesve të Gramozit, i cili pason te Bilibashi, që sheh daljen e portierit Koçi dhe gjuan drejt portës. Kur të gjithë menduan se topi do të shkonte në rrjetë, mbrojtesi Rexhepi e ka larguar topin para se të kalonte vijën e portës, duke shpëtuar një gol të sigurt. Janë përsëri kolonjarët që rrezikojnë, duke përfituar nga një pasiguri tjetër e mbrojtjes vendëse, por topi i gjuajtur nga Musabelli kalon ngjitur me shtyllën. Kukësi kundërpërgjigjet me Mziun, Ivanajn dhe Xhetanin, por pa rrezik serioz për portën e Dervishit. Fundi i pjesës së parë e gjen ekipin vendës në sulm, por as Xhetani dhe as Ivanaj nuk shënojnë. Pjesa e dytë është më e dobët, me raste më të pakta për të dy ekipet, pavarësisht përpjekjeve të kuksianëve për ta thelluar rezultatin. Jevdjeviç nuk arrin të shënojë pas një gjuajtjeje brenda zonës, ndërkohë që portieri Dervishi ka pritur një gjuajtje të Ivanajt më pas. 30 minutat e fundit të ndeshjes shoqërohen me një lojë kryesisht në mesfushë, pa rreziqe në portat respektive. Gjithçka mbyllet me fitoren 1-0 të Kukësit.
Trajnerët
Ilir Qirjako, trajneri i Gramozit: Kishim mundësi të dilnim me një pikë nga Kukësi, por kjo nuk ndodhi, pasi sulmi nuk funksionoi, duke mos finalizuar asnjë aksion. Lojtarët e tepruan me mbajtjen e topit, duke e qarkulluar atë më shumë sa duhej. Megjithëse terreni ishte shumë i mirë, lojtaret tanë nuk janë mësuar të luajnë në tapet artificial, kështu e patën të veshtirë të ambientoheshin. Mbetet ende punë për tu bërë. Respsekte për publikut vendës për mikpritjen. Kukësi është i vetmi vend ku nuk jemi sharë.
Sabri Balla, drejtori sportiv i Kukësit: Zbllokimi i rezultatit që në fillim na çoi në eufori. Lojtarët i realizuan detyrat e ngarkuara, pavarësisht se shënuan vetëm një gol. Na pëlqeu ekipi i Gramozit. Megjithëse një ekip relativisht i ri, ishte mjaft simpatik. Kukësi do vazhdojë të paraqesë lojëra dhe rezultate pozitve, duke qenë pretendent serioz për në supeligë.
Të veçanta
- Në fund të ndeshjes, Malo i Kukësit është demtuar rëndë pas një përplasjeje me Shehun e Gramozit. Ai ka rënë pa ndjenja në fushë dhe ambulanca e ka transportuar menjëherë për në urgjencë, ku ka marrë ndihmëm e specializuar mjekësore. Pas mjekimit, Malo ka lënë spitalin.
- Trajneri i Kukësit, Berberi, ka tentuar të braktisë drejtimin e ekipit rreth minutës së 80-të, pas një konflikti me Xhetanin, që është edhe ndihmësi i tij. Pas marrjes së kartonit të verdhë, Berberi ka kërkuar ta ndërrojë Xhetanin, por, për një moment, ai ka refuzuar të lërë fushën. Ky veprim nuk është kapërdirë nga Berberi, që ka tentuar të largohet, por dalja e Xhetanit nga loja ka bërë që ai të kthehet në stol.