Nervozohet Beqiri:Kuzhe, jep shpjegime për mua dhe Telin!
Nga një titullar i padiskutueshëm në Kombëtare, tashmë mund të quhet i harruar. I zhgënjyer, por jo vetëm kaq, mbrojtësi shkodran Elvin Beqiri hedh dyshime për mosthirrjen e tij në ekipin kuqezi. Sinjali i parë u dha më 19 nëntor të vitit 2009, kur ai nuk u grumbullua për miqësoren me Estoninë. Edhe më pas, asnjë ftesë për lojtarin, edhe pse po kalonte një formë të shkëlqyer në radhët e skuadrës elitare azerbajxhanase, Khazar Lenkoran. Në javën e parë të kampionatit ai shënoi një super-gol, ndërkohë që mediat azere flasin me superlativa për gjendjen e tij. Gjithsesi, në një bisedë ekskluzive për “Panorama Sport”, mbrojtësi shpreh nervozizëm për këtë harresë, që sipas tij është e pakuptimtë dhe tepër e çuditshme për nga mënyra.
Deklarata
“Jam vërtet i befasuar dhe tepër i zhgënjyer, sepse nuk e meritoj të jem jashtë Kombëtares. Për këtë nuk di çfarë të them, sepse në të vërtetë mungon arsyeja. Trajneri Josip Kuzhe nuk më ka njoftuar asnjëherë për shkakun pse nuk thirrem. Kam dëgjuar që kërkon qendërmbrojtës në të gjithë rruzullin tokësor. Por, ai nuk e merr mundimin të interesohet të paktën një herë për dy qendërmbrojtës që aktivizohen në kampionatin azerbajxhanas me skuadra të nivelit të lartë. Nuk jam vetëm unë, por edhe Admir Teli, i cili po shkëlqen te Karabaku. Mediat këtu flasin gati çdo javë për formën e mirë që po kalojmë, por trajneri i Kombëtares vazhdon të na shpërfillë. E përsëris, ndihem shumë i fyer. Kam dhënë gjithçka për fanellën e kombit tim dhe kurrë nuk e kam pritur këtë sjellje. Të paktën, të më sqarojnë pse unë nuk thirrem. Gjithsesi, për të mos vazhduar më gjatë, duhet pyetur vetë Kuzhe”,- është shprehur Beqiri nëpërmjet linjës telefonike.
Dyshimi
Elvin Beqiri nuk ka bërë kurrë polemika, teksa gjithnjë është vlerësuar për karakterin e tij të qetë. Jo më kot, ai ka qenë një lojtar stabël në Kombëtare, pavarësisht se në kohë të ndryshme e kanë penalizuar edhe dëmtimet e shpeshta. Megjithatë, këtë herë ai hedh dyshime të mëdha për mosgrumbullimin. “Dua t’i bëj një pyetje trajnerit Kuzhe: Si ka mundësi që nga dy lojtarë shqiptarë që luajnë në “play-off” të Ligës së Evropës me klubin e Karabakut, njëri thirret dhe tjetri nuk thirret? Shpresoj që trajneri ynë të jap sqarime për këtë”,- shton Beqiri.
“Rilindja”
Goli i mbrojtësit shkodran në ndeshjen Lenkoran-Qabala 1-0, është vlerësuar si më i bukuri për javën e parë të kampionatit azerbajxhanas. Beqiri mori përsipër një goditje dënimi nga një distancë prej 30 metrash, duke shënuar një eurogol. Sipas mediave azere, lojtari shqiptar tashmë është kthyer në një lider te Lenkorani, që sezonin e kaluar e mbylli kampionatin në vendin e dytë. “Jam i lumtur për paraqitjen time me Lenkoranin. Kam arritur një formë të mirë, për më tepër që skuadra ku luaj ka ambicie të mëdha. Trajneri dhe drejtuesit e klubit më kanë vlerësuar për atë çfarë kam dhënë në fushë. Natyrisht, unë jam mbrojtës dhe shënoj rrallë, por goli i fundit ishte me të vërtetë shumë i bukur. Të them të drejtën nuk e prisja”,- përfundoi ai.