Bogdani e pranon: Kjo Kombëtare, me probleme!
Erjon Bogdani ka pranuar në një bisedë për “Panorama Sport”, se Shqipëria nuk mund të shkojë larg, përderisa s’ka lojtarë të cilët bëjnë diferencën që në moshë të re. Ikona e Kombëtares në dekadën e fundit ka folur pa doreza, duke komentuar situatën aktuale në skuadër, teksa disa futbollistë nuk e dinë ende të ardhmen. 33-vjeçari flet edhe për kalimin te çesena, mungesën e Skelës, grupin eliminator, por jo vetëm. Ai shpreson që pasardhësi i tij te kuqezinjtë të jetë sulmuesi shkodran, Bekim Bala.
Erjon, nga Kievo te çesena. Ka shumë ndryshime apo thjesht ju lumturon fakti që keni mbetur në një ekip të Serisë A?
Për mua nuk ka ndonjë ndryshim të madh. çezena ka një ekip të ri dhe kur unë firmosa, presidenti më premtoi se do të blejë 15-16 lojtarë, të cilët kanë eksperiencë në kampionatin italian. Me këtë skuadër që kemi aktualisht, është shumë e vështirë të përballohet sezoni. Seria A me atë B, ndryshon si nata me ditën.
Megjithatë, duket se ju si sulmues kryesor do iu duhet të mbani gjithë presionin te një ekip i sapo ngjitur, apo jo?
Jam mësuar të përballoj presionin në skuadra të vogla dhe nuk firmosa te ky ekip për faktin se njoh trajnerin Fikadenti. Si ky i fundit, ashtu edhe presidenti i çesenës, më kanë dhënë një besim absolut. Tani gjithçka do të varet nga forma ime. E sigurt është që nuk do të më ndodhë si te Kievo, ku herë isha në stol dhe herë në tribunë. Bëra këtë kalim me qëllimin për të nisur diçka nga e para në karrierën time.
Kaq i dashuruar jeni pas kampionatit italian?
Sinqerisht, me moshën që kam unë është një sfidë që të përballosh një nga kampionatet më të forta të Evropës. Jam 33-vjeç dhe nuk është e lehtë të luash në Serinë A, aq më tepër me një ekip të vogël si çesena. Së pari, është një kënaqësi e madhe të vazhdoj në Itali, por nga ana tjetër, do të më duhet një super-angazhim për të nderuar ekipin. Shpresoj të shënoj sa më shumë gola dhe e di që do të jetë një sfidë e madhe për mua. Megjithatë, në këtë moshë unë i jap vazhdimësi karrierës. E kam thënë edhe më parë, që mund të shkoja te QPR-ja në Angli, por përtej ofertës së kënaqshme financiare, zgjodha përsëri Italinë. Ky vend për mua nuk ka të krahasuar me asnjë.
Të kalojmë te Kombëtarja, ku ka mungesa dhe për më tepër lojtarë pa skuadër. Cili është komenti juaj?
Më vjen keq për lojtarët që kanë ngelur pa skuadër. Nuk diskutohet që kjo pasqyrohet direkt tek ekipi Kombëtar. Mendimi im është që opinioni duhet të ndërgjegjësohet se këto janë mundësitë e Shqipërisë. Duhet të përkrahim këtë grup, sepse në fund të fundit zgjedhjet e trajnerit Josip Kuzhe janë të kufizuara. Natyrisht, në këto kushte edhe ai s’ka çfarë të bëjë, pasi gjithçka ndikon te përfaqësuesja. Këta lojtarë do e kenë shumë të vështirë për të dhënë atë që të gjithë presin. Për të qenë realistë, ne 20-22 lojtarë kemi. Kuzhe i ka provuar të gjithë dhe tashmë do të bëhet ç’është e mundura që të marrim rezultate.
Atëherë, kush mund ta zëvendësojë Skelën sipas jush?
Një lojtar si Skela mund t’i shërbejë akoma ekipit Kombëtar, pavarësisht moshës që ka. është shumë e vështirë të zëvendësohet ai në Kombëtare. Gjithsesi, unë nuk dua ta besoj se Ervini do të heqë dorë nga futbolli. E përshëndes për zgjedhjen që ka bërë, duke mos pranuar të vijë në këtë miqësore.
Do të luajmë me Uzbekistanin, e njihni si ekip?
Uzbekistanin nuk e njoh fare, por mendoj se kjo nuk ka rëndësi. Në miqësoret e fundit ne kemi luajtur mirë dhe duhet të vazhdojmë kështu. Pastaj, pavarësisht kundërshtarit unë këtë ndeshje e shikoj si një testim të mirë edhe për lojtarët që janë pa skuadër, e gjithashtu ata të rinj, të cilët nuk kanë pasur më parë hapësira. Në të tilla sfida rezultati nuk ka shumë rëndësi, pasi gjithçka fillon me ndeshjet eliminatore, sepse aty duhen pikët. Personalisht i kam akoma këmbët e rënda dhe nuk jam në formën më të mirë. Kam vrapuar shumë gjatë fazës përgatitore dhe tani ndihem si i kontraktuar, por nuk diskutohet që do të jap më të mirën, si unë dhe shokët, për të kënaqur tifozët me fitore.
Presupozohet se ky do të jetë edicioni i fundit tuaj me Kombëtaren. Mund të bëni një premtim për tifozët?
Dua të sqaroj se i kam vënë synim vetes, që nëse do të jem mirë fizikisht dhe do të vazhdoj të luaj në nivele të larta, pse jo të mos jem pjesë e Kombëtares. Trajneri më ka thënë se bën pjesë në planet e tij. Aktualisht ndihem mirë për të bërë atë që tifozët duan. E di që një gabim të bëj, nuk ta fal njeri kollaj, pasi njerëzit presin shumë nga unë. Gjithsesi, jam mësuar me këtë situatë dhe dua që përgjigjet e mia t’i jap në fushë, jo nëpërmjet intervistave në media. Tani nuk dua të bëj premtime, duke dhënë shifra për golat, aq më tepër me Kombëtaren. Nuk dua që në ekip të luajë unë, Salihi apo Kapllani. Pra, e shikoj Kombëtaren si skuadër, jo te individët. Sa herë që jemi varur nga individualitet, kemi humbur. Vetëm nëse Shqipëria bën një lojë grupi, atëherë mund të arrijë rezultate.
Kë shikoni si pasardhësin tuaj në Kombëtare?
Të them të drejtën nuk mund të flas konkretisht për ndonjë lojtar që ka karakteristikat e mija, por u besoj miqve të mi, që më kanë thënë se një i ri nga Shkodra, Bala, mund të jetë pasardhësi im. Kjo nuk ka shumë rëndësi, por unë u jap një mesazh të gjithë të rinjve shqiptarë, që ta marrin çdo ndeshje shumë seriozisht. Karriera nuk bëhet me një paraqitje të mirë në një takim, por kërkon vazhdimësi. Futbolli është bërë i egër dhe konkurrenca duket shumë e madhe për të zënë një vend në kampionate me nivel.