Elbasani humbet edhe mbrojtësin Aldo Bella
Elbasani duket se është në një krizë të thellë, gjë që e vërtetojnë humbjet e njëpasnjëshme në transfertë. E fundit është ajo me Besën në Kavajë, me rezultatin 4-2. Një humbje e paralajmëruar nga mungesat që kishte Elbasani dhe tashmë ky ekip duket se ka hequr dorë nga objektivipër superligën, pasi rivalët vazhdojnë të fitojnë dhe janë arratisur në krye të tabelës. Elbasani është përfshirë nga problemet shumta dhe deri tani ka ecurinë më të dobët në ndeshjet në transfertë.
Verdheblutë, të cilët dje humbën edhe në Kupën e Shqipërisë me Dinamon në stadiumin Ruzhdi Bizhuta, pritet të kthehen te fitorja në ndeshjen e së premtes me Himarën. Megjithatë, shpresat për kthimin në superiore janë venitur, edhe pse ka edhe shumë ndeshje për të luajtur dhe realisht janë mundësitë për ti rikuperuar pikët.
Në këtë moment të vështirë edhe fati duket se është kundër Elbasanit, pasi në ndeshjen me Besën është dëmtuar rëndë qendërmbrojtësi Aldo Bella, i cili pritet të qëndrojë për një kohë të gjatë larg fushave. Është një lajm i keq ky për stafin teknik të verdhebluve, pasi Bella ka qenë një pikë e fortë deri tani.
