E Shtunë, 31 Tetor 2026

Selimaj: Kukësi? Pse ta diskutojmë fitoren?

Nga  SOKRAT PAPADHOPULLI

Portieri i Luftëtarit, Erind Selimaj, beson se ekipi i tij do ta kalojë me sukses edhe rivalin më të afërt në stadiumin e Gjirokastrës

Luftëtari ka avantazhin e fushës në betejën e radhës me Kukësin e vendit të dytë, ndërsa miqtë, sipas të dhënave, kanë kasafortë  të rëndë. Gjirokastritëve u duhet të bëjnë kujdes në menaxhimin e ndeshjes, që do të jetë ndër më interesantet për vetë pozicionet  që kanë ekipet, si dhe për përbërjet e tyre. Nga kampet e ekipeve  veriore (konkretisht të Tërbunit), ka dezertuar portieri shkodran, Erind Selimaj, i cili aktualisht ndodhet në një kamp jugor, atë të Luftëtarit.

Pra, ai u ka rrëmbyer  edhe disa sekrete. Në 7 ndeshjet e zhvilluara në Gjirokastër ai ka pësuar vetëm 3 gola, që në një farë mase do të thotë se prapavija e Luftëtarit është e fortifikuar. Pa dyshim që futbolli nuk është një lojë statike. Është një lojë dinamike dhe kërkon lëvizje me dhe pa top për të arritur suksesin. Fitorja me Adën në Velipojë e motivon më shumë ekipin gjirokastrit për të arritur një fitore të re në fushën e tij, ku ka vetëm 3-pikësha.

Tifozët gjirokastritë janë mprehur për të festuar një fitore të mundshme, sepse u ka hipur gjaku në tru, përderisa të shtunën e kaluar, afër mesnatës, e kanë pritur ekipin e tyre të kthehej triumfator nga Velipoja, në sheshin pranë stadiumit Gjirokastra, edhe pse nuk sillte ndonjë trofe me vete, por vetëm një fitore inkurajuese. Selimaj, me të cilin nis mbrojtja dhe sulmi gjirokastrit, deri tani i pazëvendësueshëm në të gjitha ndeshjet e kampionatit, thotë:

Ndeshja me Kukësin është e fundit për fazën e parë në Gjirokastër dhe më shumë se herët e tjera kërkohet nga ne fitorja. Është e qartë se Kukësi është ekipi më i fortë që vjen në Gjirokastër, ndaj do kujdes të veçantë për ta përballuar me sukses të plotë. Ekipi ynë ka treguar se është ndër më të fortët e kategorisë së parë dhe nuk ka arsye të mos dalë faqebardhë edhe me këtë kundërshtar.

Kukësi, edhe pse në thelb është mjaft i kompletuar, nuk është me cilësi më të larta se Luftëtari. Nëse marrim parasysh edhe faktorin fushë, them se kjo ndeshje është si ajo me Adën, edhe pse kundërshtarët janë të niveleve të ndryshme.

Mendoj se mbrojtja jonë do ta bllokojë sa më mirë sulmin kundërshtar dhe, nga ana tjetër, sulmuesit tanë do të dalin te goli, siç kanë bërë në gjithë ndeshjet e mëparshme këtu në Gjirokastër, ku kemi arritur edhe disa rezultate të thella. Me Kukësin do të jemi të kënaqur me çdolloj fitoreje, që them se nuk ka pse të diskutohet.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›