Malaj: Mamurrasi do të bëjë autokritikë me Besëlidhjen
Pas barazimit me Skraparin, ekipi i drejtuar nga trajneri Bardhi do të përpiqet të marrë pike në Lezhë
Erikson Aga ka qenë protagonist në ndeshjen me Skraparin, duke shmangur humbjen. Pritjet e tij të shkëlqyera kanë bërë që Mamurrasi të marrë një pikë. Falë formës së mirë që ka treguar, portieri Aga ka marrë edhe disa oferta. Ka qenë një paraqitje shumë e mirë e Agës, që na ka shpëtuar. Nuk kisha dyshime tek aftësitë e tij, pasi kam vite që e përgatis.
Ai kërkohet nga Dinamo, por unë kam këmbëngulur që të qëndrojë te Mamurrasi, pasi i duhet shumë këtij ekipi, nisur nga objektivi që ka, pavarësisht barazimit me Skraparin. Aga është kthyer në një lojtar lider në ekip, pasi e ka rritur shumë nivelin e tij, ka thënë Besnik Malaj, përgatitësi i portierëve te Mamurrasi.
Më tej ai thekson se Mamurrasi la dy pikë të çmuara në ndeshjen e fundit, pasi e nënvlerësoi kundërshtarin: Ekipi u fut në fushë me mendimin se e kishte të sigurt fitoren. E nënvlerësuam kundërshtarin, që në fakt kishte ardhur me synimin për të marrë pikë në Mamurras dhe zhvilloi një lojë shumë të mirë. Nuk e kishim menduar një paraqitje të tillë të Skraparit, që u shfaq një ekip i mirorganizuar.
Ne u mjaftuam më shënimin e një golli dhe humbëm shumë raste të pastra. E rëndësishme është që nuk humbëm, edhe pse na prishin shumë punë dy pikët e lëna javën e fundit. Jam i bindur se Mamurasi do të gjejë forca për ta kapëcyer këtë situatë dhe do të kthehemi te fitorja. Kemi një ndeshje shumë të vështirë me Beslëidhjen, ku sigurisht na duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Futbollistët e Mamurrasit do të dinë të bëjnë autokritikë dhe të kërkojnë maksimumin e pikëve në këtë ndeshje, ka përfunduar Malaj.
