Bushati grumbullon talentin Shkurtaj
Trajneri i Kombëtares Shpresa, Artan Bushati, ka publikuar listën me 22 futbollistët që ka grumbulluar për dy ndeshjet eliminatore në Europianin Under-21, kundër Austrisë dhe Bjellorusisë. Ajo që bie në sy është ftesa që drejtuesi i stolit të kuqezinjve "të vegjël" ka rezervuar për talentin e Olimpiakosit, Vasil Shkurtaj. Sulmuesi i talentuar vlerësohet shumë nga trajneri Ziko i skuadrës së madhe helene, ndërsa vetëm pak ditë më parë babai i lojtarit kishte deklaruar se 17-vjeçari do të përfaqësonte vetëm Shqipërinë. Bushati e ka shfrytëzuar menjëherë sinjalin dhe e ka thirrur Shkurtajn në ekip, me gjithë moshën e tij të vogël (djaloshi ka kapërcyer në këtë mënyrë ekipet U-17 dhe U-19). Vasil Shkurtaj dhe sulmuesi i Vorskla Poltavës, Ahmed Januzi, janë dy lojtarët e vetëm të grumbulluar që luajnë jashtë vendit. U-21 do të luajë dy ndeshje në shtëpi, më 13 nëntor me Austrinë dhe katër ditë më pas me Bjellorusinë. Pas pesë ndeshjeve, kuqezinjtë kanë grumbulluar vetëm tri pikë dhe renditen të parafundit në Grupin 10.
e. k.
e. k.