Dështon takimi Kosovë-Serbi në FIFA, serbët refuzojnë ftesën
Takimi mes Federatave të Futbollit të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e FIFA, dhe vetë presidentin e saj, Sep Blater, tashmë është i destinuar të dështojë. Një gjë e tillë është thuajse e sigurt se do të ndodhte. Serbët nuk do të paraqiten në takimin e parashikuar për të sot (5 nëntor) në Zyrih të Zvicrës. Një lajm i tillë është bërë i njohur pikërisht dje nëpërmjet një komunikate të dërguar në qendrën e "qeverisë" botërore të futbollit nga ana e drejtuesve të lartë të Federatës Serbe. Në këtë komunikatë janë sqaruar arsyet e refuzimit të ftesës së kreut të FIFA-s. "FIFA hodhi idenë e një takimi të tillë, por Federata e Futbollit të Serbisë e refuzon kategorikisht, lexohet në komunikatën publike të FSS-së. Federata jonë gëzon edhe përkrahjen e UEFA-s, e cila kundërshton organizimin e takimeve të tilla me përfaqësues jolegjitimë të një organizate inekzistente. Në bazë të statutit të Federatës së Futbollit të Serbisë, i cili është mbështetur nga ana e FIFA-s dhe UEFA-s, Federata e Futbollit e Kosovës dhe Metohisë është anëtare e Federatës së Futbollit të Serbisë, nënvizohet më poshtë. Bashkë me Federatën e Vojvodinës, Federatën e rajonit të Serbisë Lindore, atë të rajonit të Serbisë Perëndimore dhe me Federatën e Beogradit, Federata e Kosovës dhe Metohisë përbën themelin e Federatës sonë, si dhe të organizimit territorial të futbollit në Serbi". Ndër të tjera në këtë letër thuhet se selia e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Metohisë ndodhet në veri të Mitrovicës dhe atje mbahen mbledhjet e të gjitha organeve relevante të kësaj federate, derisa klubet nga Kosovës dhe Metohisë janë të përfshira në sistemin e garimit të Federatës të Serbisë. Por ky refuzim i Federatës Serbe nuk ka ndikuar në vendimin e drejtuesve të Federatës së Futbollit të Kosovës që t‘i përgjigjen ftesës. Ata janë nisur dje drejt Zyrihut, ku do të paraqiten sot në zyrat e FIFA-s në orën 15.00, ashtu siç ishte parashikuar në ftesë. "Neve nuk na intereson a do të marrin pjesë edhe serbët apo jo. Me këtë çështje do të merret FIFA, e cila i ka bërë ftesat", theksoi sekretari i FFK-së, Eroll Salihu, i cili shtoi se drejtuesit nga Kosova do të parashtrojnë katër kërkesat e tyre për FIFA-n: Pranimi i Kosovës në FIFA e UEFA, klubet kosovare të lejohen të marrin pjesë Kupat e Europës, Kombëtarja e Kosovës të lejohet të zhvillojë miqësore me kombëtaret e tjera dhe të jepen certifikatat për transferimin e futbollistëve nga Kosova në klubet e huaja.
A. Manallari
A. Manallari