E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasani mund Besën dhe sheh Evropën

Skuadra e Elbasanit ka arritur të marrë një fitore shumë të rëndësishme përballë Besës, duke kaluar në renditje pikërisht skuadrën kavajase dhe duke mbajtur gjallë shpresat për një vend "nderi" në kampionat që do të siguronte edhe pjesëmarrjen në Kupat e Evropës. Verdheblutë kanë lënë pas humbjen e hidhur të javës së kaluar me Tiranën dhe kanë treguar para publikut të tyre se mbeten në garë për objektiva të rëndësishëm. Tekniku Alimehmeti ka vendosur të lërë pushim dyshen Bejzade-Xhafa, për t‘i ruajtur për takimin e Kupës në mesjavë, por reparti i avancuar nuk ka qenë një problem për ekipin vendas. Pas dy tentativash radhazi të Arben Nuhiut, elbasanasit gjejnë edhe golin e avantazhit, duke shfrytëzuar shpërqendrimin e mbrojtjes kundërshtare. Tetova gjen të lirë në zonë Ardian Nuhiun që nuk e ka të vështirë të dërgojë topin në rrjetë në minutën e 18-të. Vetëm një minutë më pas, verdheblutë fitojnë një 11-metërsh, pasi Lila prek me dorë në zonë topin që po shkonte drejt Ardian Nuhiut. Ahmataj merr përsipër gjuajtjen nga pika e bardhë duke shënuar lehtësisht golin e dytë për skuadrën e tij. Besa thuajse nuk ekziston në fushë dhe elbasanasit arrijnë të gjejnë në minutën e 24-t edhe golin e tretë, kur Tetova, në një ditë të shkëlqyer pason tek Endi Dalipi, i cili nuk e ka të vështirë të shënojë me portën e boshatisur. Besa përpiqet të reagojë dhe në minutën e 30-të shkurton diferencën kur një gjuajtje me kokë e Mancakut devijohet në portë nga Ahmataj. Pavarësisht tentativave të tjera, kavajasit e kanë shumë të vështirë t‘i afrohen portës elbasanase dhe vendasit e kanë të lehtë të administrojnë pjesën e mbetur të takimit, duke e mbyllur me këtë fitore 3-1 që i ngjit në vendin e katërt në renditje, vetëm 9 pikë nga Dinamoja kryesuese.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›